Lidhje

SHBA: Demokratët shfrytëzojnë librin e ri për të kritikuar Presidentin


Demokratët në kongresin amerikan po shfrytëzojnë librin e ri të një gazetari veteran për të theksuar argumentin e tyre se Presidenti Bush nuk i tregoi të vërtetën popullit amerikan mbi gjendjen në Irak.

Demokratët thonë se libri “State of Denial” – Mohimi i Realitetit – i gazetarit Bob Uduërd sjell prova bindëse se Presidenit Bush nuk po i tregon të vërtetën popullit amerikan mbi luftën në Irak.

Në libër Uduërd përshkruan përçarjet e thella në gjirin e administratës Bush mbi kursin e luftës dhe kundërshtitë ndërmjet komenteve zyrtare e private të zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit në lidhje me Irakun.

Senatori nga Miçigani, Karl Levin, demokrati më me peshë në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura, vëren se Uduërd shkruan se në nëntor të 2003-shit Presidenti Bush nuk donte që pjesëtarët e kabinetit të tij të pranonin se në Irak kishte një rebelim.

“Presidenti Bush nuk dëshiron ta pranojë realitetin. Nëse Shteteve të Bashkuara u duhet të ndryshojnë kursin dhe dinamikën në Irak, ne na duhet t’i japin fund mospranimit të realitetit dhe ta bindim presidenin dhe administratën mbi gjendjen. Është themelore, që për të rritur në maksimum shanset për sukses në Irak, duhet të ndryshojmë kurs, të ndryshojmë dinamikën në Irak dhe që kjo të realizohet, presidenti duhet t’i japë fund këmbënguljes së tij kokëfortë se gjendja në Irak është në rregull”.

Në librin e tij, Uduërd shkruan se ish-shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë, Andi Kard, ishte përpjekur dy herë të bindte presidentin për të shkarkuar Sekretarin e Mbrojtjes, Donald Ramsfelld. Presidenti kishte kundërshtuar.

Demokratë në senat, përfshirë Karl Levin, dhe kryedemokratin në këtë dhomë të kongresit Hari Rid, i përsëritën thirrjet e tyre për dorëheqjen e Ramsfelldit.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Toni Snou u tregua mospërfillës ndaj librit.

Libri është njëfarë karameleje që tretet menjëherë. Si ky libër janë shkruar edhe më parë. Libri ka prirjen të përsërisë ç’ka kemi parë në një numër librash që janë publikuar sivjet, ku autorët u fryjnë grindjeve të vjetra në lidhje me numrin e trupave në Irak. Bob Uduërd veçse sjell hollësi që të tjerët nuk i kishin”.

Snou reagoi edhe për komentet e zotit Uduërd në televizionin CBS, intervistë në të cilën gazetari thotë se administrata Bush nuk e ka bërë publike dhunën në tërësi kundër trupave amerikanenë irak.

“Kur fjala vjen, për shembull, tek çështja e sulmeve kundër trupave amerikane, presidenti informohet rregullisht dhe njerëzit e dinë këtë. Nuk janë bërë përpjekje për të fshehur të vërtetën”.

Në intervistën dhënë televizionit CBS, që do të transmetohet nesër mbrëma, fragmente të të cilës janë bërë publike paraprakisht, Uduërd thotë se libri del vetëm disa ditë pasi shtypi citon një raport të zbulimit i cili del në përfundimin se lufta në Irak është kthyer në një mjet rekrutimi për ekstremistët islamikë dhe e ka rritur kërcënimin e terrorizmit global. Presidenti Bush autorizoi më pas publikimin e fragmenteve të raportit.//ii

XS
SM
MD
LG