Lidhje

SHBA: Borxhet e të rinjve, gracka ku ata ngecin për një kohë të gjatë


Gjatë dekadës së fundit, borxhet tek të rinjtë amerikanë janë rritur me 55 përqind. Mesatarja e borxhit tek kartat e kreditit në radhët e studentëve është 2300 dollarë ndërsa huatë për pagesën e studimeve, më shumë se 20 mijë dollarë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Kristal Park, shpjegon se borxhi është një grackë ku mund të ngecin të rinjtë amerikanë.

“Këtë javë do të gatuaj çdo ditë në shtëpi sepse më kanë mbetur vetëm 30 dollarë deri kur të marr rrogën në fund të javës”, thotë 24-vjeçarja Anisa Din e cila po ndeshet me probleme financiare. Shpenzimet mujore, si ushqimi, qiraja dhe fatura të tjera e rëndojnë gjendjen e saj financiare. Ajo jeton së bashku me 3 vajza të tjera duke u munduar të ulë koston e lartë të jetesës në zonën e Uashingtonit.

Situata e saj nuk është e pazakontë për një student që sapo ka mbaruar kolegjin, të cilët përballen me borxhe të mëdha pasi kanë marrë diplomën. Sipas kompanisë federale Nilli Mei, për dhënien e huave për të paguar studimet, në përgjithësi një student amerikan mbaron kolegjin me më shumë se 20 mijë dollarë në borxhe.

Anisa Din u diplomua nga Universiteti i Merilandit me një shumë të madhe borxhesh për shkak të huave studentore. “Unë mendoja se kur të mbaroja do të kisha një punë me rrogë të mirë, shumë më tepër se rroga që marr tani, e cila do ta bënte më të lehtë. Megjithatë, për arsye të ndryshme kjo nuk ndodhi, kështu që është më e vështirë.” Një nga arsyet për këto vështirësi, shpjegon Kristian Ueller, ekonomist nga Qendra e Progresit Amerikan, në Uashington, është oferta e ulët e vendeve të punës. “Një pjesë e kësaj ndodh për shkak të tregut të dobët të vendeve të punës, që e ka bërë të vështirë për studentët e sapodiplomuar të gjejnë punë. Kjo ka qenë e vërtetë sidomos për pakicat, megjithëse në përgjithësi nuk janë hapur vende punë.”

Por tregu i dobët i punës nuk është i vetmi faktor që po ndikon tek borxhet e të rinjve amerikanë. Një joshje e madhe nga ana e tregëtarëve e cila inkurajon shpenzime të pamenduara, dëmton të rinjtë amerikanë të cilët nuk kanë pjekurinë e duhur financiare. Karen Pitman është drejtoreshë në Forumin për Investimet tek të Rinjtë. “Të rinjtë nuk kanë informacionin e duhur për të kuptuar konceptin e kursimit. Të kuptojnë se si mund të caktojnë një buxhet dhe si mund të organizojnë shpenëzimet brenda të ardhurave. Kështu që edukata financiare është e ulët. Instituti Kombëtar për Edukimin Teknik dhe Financiar organizon provime mbi edukimin financair tek të rinjtë, ku më shumë se gjysma e tyre ngelen.”

Kristian Ueller thotë se për të eliminuar këtë fenomen duhet të ndryshojnë faktorët ekonomikë. “Situata e krijuar me borxhet tek të rinjtë shkaktohet nga faktorë makroekonomikë të një tregu të dobët pune dhe çmimet në rritje. Për të dalë nga kjo situatë duhet të përqëndrohemi tek forcimi i tregut të punës duke krijuar më shumë vende pune dhe punë më cilësore.” Karen Pitman thotë se shoqëria në përgjithësi është përgjegjëse për edukimin e të rinjve mbi çështjet financiare. “Ka plot reklama për të shpenzuar, por jo sa duhet për kursime. Media i bën publicitet shpenzimeve në radhët e të rinjve dhe ne nuk po çojmë informacionin e duhur.” Për Anisa Din, shlyerja e huave është një barrë, por ajo beson se po paguan më shumë se vetëm për shkollim. “Prindërit gjithmonë i kanë dhënë rëndësi të jashtëzakonëshme vlerës së shkollimit dhe sot është e nevojshme një diplomë kolegji. Madje nevojiten edhe studime pas kolegjit. Megjithëse çmimi i studimeve ishte i lartë, babai më thoshte se në fund shkollimi do t’i paguante të gjitha.” Dhe kjo është e vërtetë. Rrogat për të diplomuarit nga kolegjet do të jetë dyfishi i rrogës së atyre që kanë mbaruar vetëm shkollën e mesme. //rd//

XS
SM
MD
LG