Lidhje

Kongresi amerikan shqyrton praktikat e përgjimit në Hewlet Packard


Drejtues të lartë të kompanisë Hewlet Packard u përballën javën e kaluar me pyetje të vështira në një seancë në kongresin amerikan për të përcaktuar në se kompania shkeli ligjin kur punësoi hetues për të spiunuar kundër anëtarëve të bordit drejtues. Ligjvënësit dëgjuan hollësitë e skandalit të spiunazhit rreth metodave të jashtëligjshme që janë përdorur nga hetuesit e kompanisë. Por ata morën pak përgjigje për arsyen përse zyrtarët e kompanisë lejuan vazhdimin e këtij hetimi.

Skandali i përgjimit u ka kushtuar tashmë vendet e punës pesë drejtuesve të lartë të kompanisë Hewlet Packard. Ndër të parët që dëshmuan para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Energjinë dhe Tregëtinë ishte ish drejtuesja që ndërmori hetimin e brendshëm në përpjekje për të ndalur nxjerrjen e informacionit nga dhoma e bordit.

Particia Dunn tha se nuk kishte asnjë arsye të besonte se po shkelej ndonjë ligj. “Nuk e pranoj të kem ditur se përdorimi i paligjshëm i identitetit ishte pjesë e këtij hetimi dhe unë nuk kisha asnjë arsye të mendoja se po bëhej diçka e paligjshme.”

Por sipas ligjvënëses nga Kolorado Dianna Degett, hetimi i kompanisë ishte krejtësisht i paligjshëm. “Janë kontrolluar mbeturinat, janë krijuar emaille falso që janë miratuar në nivelet më të larta të kompanisë.”

Një taktikë tjetër e dyshimtë nga ana etike përfshinte paraqitjen e rreme të hetuesve që shtireshin si anëtarë të tjerë të bordit për të marë informacione mbi telefonatat. Ronald Delia është drejtuesi i firmës hetuese të punësuar nga kompania Hewlet Packard. “Zoti kryetar, me respekt më duhet të mos i përgjigjem pyetjes suaj.”

Dhjetë vetë të përfshirë në hetim përdorën gjithashtu të drejtën e tyre kushtetuese për të mos u përgjigjur, në mënyrë që të shmangin dëmtimin e vetvetes më vonë. Ligjvënësi nga Massachusetts Ed Markey tha se e gjithë kjo situatë është e pështirë. “Dikur drejtuesi i një kompanie pyetej se kush i drejton marrëdhëniet me publikun apo reklamimet. A duhet tani të pyesim se kush e bën punën e spiunit?”

Një nga dokumentat e publikuara gjatë seancës ishte një e-mail nga një zyrtar i kompanisë që paralajmëronte se hetimi ishte ndoshta i paligjshëm. Zonja Dunn i kërkoi kongresit të vendosë ligje të reja për të mbrojtur si kompanitë ashtu edhe individët. “Kompanitë bëjnë shumë si këto punë për të mbrojtur interesat e aksionerëve. Ndoshta po mësojmë tani se sa të zakonshme janë këto taktika.”

Ligjvënësit amerikanë pritet të hartojnë një ligj të ri për të ndaluar teknikat e hetimeve mashtruese, por kjo ndoshta nuk do të ndodh deri pas zgjedhjeve të nëntorit. //ad//

XS
SM
MD
LG