Lidhje

Shtëpia e Bardhë në përgjigje të akuzave të botuara në librin e ri


Shtëpia e Bardhë po u kundërpërgjigjet akuzave se Presidenti Bush po fsheh të vërtetën mbi gjendjen në Irak. Akuzat bëhen në librin e titulluar ”State of Denial”, ”Mohim i realitetit” me atutor gazetarin e njohur Bob Woodward, kryeredaktor i gazetës ”The Washington Post”. Në libër aludohet gjithashtu se administrata nuk i kushtoi rëndësi një paralajmërimi mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara.

Gazetari Bob Woodward i mbështet akuzat e tij në disa intervista me zyrtarë të lartë amerikanë. Një nga akuzat e tij kryesore është se kryengritësit në Irak kryejnë sulme ndaj Shteteve të Bashkuara rreth 900 herë në javë. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Dan Barlett, thotë se administrata po merr masa lidhur me shtimin e dhunës në Irak. "Armiku është treguar i zgjuar. Ai ndoshta ka qenë edhe më i egër dhe më i dhunshëm nga sa e prisnim ne fillimisht."

Woodward shkruan në librin e tij se më 10 korrik të vitit 2001, dy muaj para sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, George Tennet, kërkoi mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë, pas disa të dhënave që tregonin për një sulm te shpejtë terrorist të Al -Kaidës ndaj SHBA. Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Richard Clarke thotë se edhe ai mori pjesë në atë mbledhje. "Mesazhi im dhe ai i Drejtorit të CIA-s ishte se gjatë javëve që do të pasonin, do të kishte një sulm në shkallë të gjerë të Al-Kaidës," thotë zoti Clarke.

Bob Woodward shkruan se Kondoleeza Rice, që në atë kohë ishte Këshilltare e Sigurimit Kombëtar, duket se nuk i kushtoi rëndësinë e duhur këtij paralajmërimi. Sekretarja Rice thotë se ajo nuk e mban mend këtë takim dhe se askush nuk raportoi për të në Komisionin dy-partiak për 11 shtatorin, i cili zhvilloi hetime lidhur me sulmet terroriste.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tony Snow, thotë se ka patur një takim, por se Woddward e përmend atë jashtë kontekstit. "Njerëzit po u hedhin një sy dokumenteve, për të gjetur se çfarë është njoftuar dhe çfarë nuk i është bërë e njohur në Komisionin e 11 shtatorit. Në fakt, tani po zhvillohet një kërkim në Arkiva lidhur me këtë çështje," tha zoti Snow.

Anëtarë të Partisë Demokrate e kanë shfrytëzuar librin e Woodwardit për të akuzuar Shtëpinë e Bardhë për keqinterpretimin e luftës në Irak. Ja si shprehet ligjvënësi i Pensilavnisë John Murtha: "Unë fola hapur dy vjet më parë dhe thashë se nuk mund ta fitojmë luftën ushtarakisht. Udhëheqësit ushtarakë më kanë thënë se gjenerali Pace, Shef i Shtabit të Përgjithshëm, e ka thënë këtë publikisht dhe ata vazhdojnë t’i venë trupat tona në rrezik."

Woodward thotë se kreu i Komandës Qendrore amerikane, Gjenerali John Abizaid, u takua me ligjvënësin Murtha vitin e kaluar dhe la të kuptohet se të dy burrat pothuajse kishin rënë dakord për nevojën që trupat amerikane të tërhiqen nga Iraku.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tony Snow thotë se presidenti Bush kërkon një përgjigje të ndershme lidhur me Irakun. "Si Komandant i Përgjithshëm, nuk e ke për detyrë të pranosh thëniet e pavërteta. Dihet që në kohë lufte, duhet vepruar kurdoherë si është më mirë. Kjo do të thotë që t’u kërkosh gjeneralëve të thonë realitetin për ato që ndodhin në fushën e betejës."

Bob Woodward dhe kolegu i tij Carl Bernstaein ndihmuan në zbulimit e skandalit të Watergate-it, që e detyroi Presidenti Nixon të jepte dorëheqjen në vitin 1974. Libri ”State of Denial” është libri i tretë i Bob Woodward-it lidhur me administratën e Presidentit Bush. Dy librat e mëparshëm u pritën mirë nga Shtëpia e Bardhë. //ad//

XS
SM
MD
LG