Lidhje

Dy amerikanët Mather dhe Smut fitues të çmimit Nobel në fizikë


Për të dytën ditë me radhë, dy amerikanë morën çmimin Nobel. Xhon Mather dhe Xhorxh Smoot u nderuan me këtë çmim për fizikën për kontributin e tyre në shpjegimin e pranisë së rrezatimit të lashtë kozmik në univers.

Shkencëtarët Xhon Mather dhe Xhorxh Smut morën çmimin më të lartë të fizikës për punën e tyre në Agjencinë amerikane të Hapësirës, NASA , në vitin 1989, që ndihmoi për të hedhur më shumë dritë në fillimet e hershme të universit dhe origjinën e galaktikave dhe yjeve.

Ata u nderuan me çmimin Nobel për zbulimin e rrezatimit kozmik që e ka origjinën nga Big Bangu, Shpërthimi i Madh, në kohën e krijimit të universit. Puna e tyre ishte mbështetur në matjet e marra nga sateliti për eksplorimin kozmik të lëshuar nga NASA.

Valëzimet e dritës që ata diktuan e kanë origjinën në fazat e hershme të universit, rreth 380 mijë vjet pasi ishte krijuar. Në motivimin e çmimit Akademia e Nobelit në Stokholm tha se studimet e tyre kanë luajtur një rol të madh në transformimin e kosmologjisë moderne në një shkence të saktë.

Në kuptimin praktik, fizikantët Mather dhe Smut e shndërruan studimin e universit të hershëm nga një këndvështrim teorik në një vëzhgim dhe matje të drejtpërdrejtë. Në teorinë e Big Bangut, apo shpërthimit të madh, thuhet se universi u krijua nga një gjendje jashtëzakonisht e ngjeshur dhe e nxehtë, afro 14 miliardë vjet më parë.

Duke u nisur nga afatet kohore që ndjek Akademia e Nobelit, çmimi është dhënë relativisht herët pas zbulimit. Në të kaluarën kanë kaluar dekada, para se të jepet një nderim i tillë. Xhorxh Smut, që është shkencëtar në Laboratorin Kombëtar Lorens Berkli në Kaliforni, e konsideron çmimin një nder të madh.

Kolegu i tij, Xhon Mather, në qendrën Godard për Fluturime në Hapësirë në Merilend, thotë se ndjehet i lumtur dhe i befasuar. Dy shkencëtarët do ta ndajnë përgjysëm çmimin prej rreth 1,4 milionë dollarësh. Frytet e punës së tyre do të vazhdojnë. Nasa ka filluar një hetim të ri që do të studiojë rrezatimin e sfondit kozmik në mënyrë edhe më të detajuar.//lk

XS
SM
MD
LG