Lidhje

Origjina e himnit kombëtar amerikan


Himni kombëtar amerikan luhet në shumë aktivitete sportive, ceremoni fetare dhe ngjarje të tjera të rëndësishme. Por jo të gjithë amerikanët e dinë origjinën e himnit.

Himni kombëtar amerikan “Flamuri i Stolisur me Yje” u frymëzua nga mbrojtja heroike e Fort McHenrit, i cili sot është një park kombëtar pranë Uashingtonit. Ky ishte vendi i betejës së ashpër gjatë luftës së vitit 1812, midis amerikanëve dhe britanikëve. Ben Kreshtull, është rojtar në parkun Fort McHenri: “Fort McHenri u ndërtua në vitin 1789 si pjesë e mbrojtjes së bregdetit lindor. Ndërtimi i Fort McHenrit përfundoi në vitin 1803. Emrin e mori nga Xhejms MekHenri, sekretari i luftës në kohën e presidentit Xhorxh Uashington. Flota mbretërore britanike sulmoi Fort McHernin në shtator të vitit 1814, por më vonë anijet u tërhoqën. Kjo frymëzoi Frensis Skot Ki, të shkruajë vargjet Flamuri i Stolisur me Yje.”

Britanikët dogjën Shtëpinë e Bardhë dhe Kapitolin në gusht të vitit 1814. Më pas ata shkuan drejt Baltimorës, një port strategjik në bregdetin lindor, 64 kilometra në veri të Uashingtonit. Fort McHenri është pika kryesore ushtarake atje. Oficeri në komandë, majori Xhorxh Armisted, tregoi gadishmërinë duke ngritur një flamur kaq të madh sa britanikët do të mund ta dallonin nga larg.

Më 12 shtator të vitit 1814, trupat britanike filluan ofensivën tokësore. Flota mbretërore filloi të bombardojë Fort McHenrin të nesërmen. Një mijë ushtarë amerikanë mbrojtën fortesën. Rojtari i parkut, Ben Kreshtull shpjegon: “Atje ndodhet bova jeshile që tregon se sa afër ishte flota britanike që bombardonte Fort McHenrin.” Bombardimi vazhdoi për 25 orë. Thuhej se rreth 1 mijë e 800 bomba dhe predha u hodhën në drejtim të McHenrit duke djegur qiellin që e rrethonte. Avokati Fransis Skot Ki, i lindur në shtetin e Merilandit dëshmoi personalisht këtë betejë: “Frensis Skot Ki, ndodhej në një anije me flamurin e armëpushimit, përtej flotës britanike, për të negociuar një shkëmbim të burgosurish, për lirimin e një mikut të tij, Dr. Uilliam Binsit, i arrestuar nga britanikët. Shkëmbimi do të bëhej me kolonelin britanik Xhon Skinër të kapur rob. Por britanikët nuk liruan asnjë deri sa mbaroi beteja duke qenë të shqetësuar se robërit mund të kishin informacione mbi planet e betejës.” Frensis pa flamurin amerikan që valvitej krenar gjatë gjithë natës. Ai u frymëzua dhe shkroi vargjet ‘Flamuri i Stolisur me Yje’ në një zarf që kishte në xhep, të cilat më vonë shërbyen si teksti i himnit kombëtar amerikan. Madëlen Hafner, nga shteti i Virxhinias Perëndimore viziton Fort McHenrin. “Mendoj se ka qenë shumë emocionuese për Frensis Skot Ki. Imagjonoj ato që ai ndjeu kur dëshmoi të gjithë bombardimin dhe flamurin që ende valvietj krenar. Mendoj se kjo ka qenë shumë emocionuese”, thotë ajo. Flamuri i Stolisur me Yje, u bë hymni kombëtar zyrtar në vitin 1931. Flamuri që valvitej mbi Fort McHenrin ju dhurua familjes së gjeneralit Xhorxh Armisted. Kjo familje e mbajti për një kohë të gjatë dhe më pas, në vitin 1909 ia dhuroi atë Muzeut Smithsonian. Pesëmbëdhjetë yjet fillestare të flamurit sot janë bërë 50 dhe Fort McHenri qëndron ende lart për të treguar këtë ngarje dhe lindjen e himnit kombëtar amerikan. //rd//

XS
SM
MD
LG