Lidhje

Gjykata e Lartë amerikane fillon seancën e re


Gjykata e lartë do të vendosë mbi një ligj federal i cili ndalon një procedurë, të cilën përkrahësit e quajnë abort të pjesëshëm në lindje, ndërsa kundërshtarët e quajnë abort në një fazë më të vonshme të shtatzanisë. Gjykatat e shkallës së ulët e quajtën ligjin jokushtetues, sepse ai nuk merr në konsideratë rastet urgjente mjekësore.

“Një pjesë e trurit i mungonte, po ashtu edhe një pjesë e kafkës. Dhe parashikimet për këtë fëmijë ishin shumë të zymta.”

Vonë gjatë shtatzanisë së saj, Ilene Jaroslaw, një avokate nga Nju Jorku, mësoi se fëmija i saj kishte difekte gjenetike dhe se nuk do të mbijetonte. Ajo i dha fund shtatzanisë së saj duke abortuar në një lindje të pjesshme, procedurë kjo që administrata e presidentit Bush e konsideron imorale. Juristi i të drejtës kushtetuese Jay Sekulow është dakort.

“Është një procedurë e tmerrshme.”

Vëzhguesit thonë se dy anëtarët e rinj konservatorë në gjykatën nëntë-anëtarëshe mund të prishin ekuilibrin dhe të kufizojnë të drejtën e grave për të abortuar. Roger Evens është aktivist në favor të së drejtës së abortit.

“Parimi më i rëndësishëm në këtë çështje është mbrojtja e marrëdhënies ndërmjet mjekut dhe pacientit nga ndërhyrja e politikanëve.”

Gjykata e lartë do të rishikojë edhe një vendim të një gjykate të shkallës së ulët, e cila urdhëroi prodhuesin e cigareve Philip Morris të paguajë rreth 80 milionë dollarë dëmshpërblim familjes së një duhanpirësi që vdiq në Oregon. Palët e interesuara nga bizneset kërkojnë kufizime në shumën e dëmshpërblimeve të tilla.

Një çështje tjetër biznesi ka të bëjë me disa ambientalistë të cilët kanë apeluar një vendim të gjykatës së shkallës së ulët që do të lejonte një kompani energjitike të vazhdonte përdorimin e gjeneratorëve të vjetër pa paisje të shtrenjta që kontrollojnë ndotjen.

Në një çështje sociale, bordet e shkollave në Seattle të shtetit Washington dhe Louisville të Kentucky-t kërkojnë të arrijnë integrimin racor duke kërkuar të marrin në konsideratë racën në kufizimet që u bëhen studentëve për të vendosur se në cilat shkolla mund të shkojnë. //ze

XS
SM
MD
LG