Lidhje

Kryeministri japonez përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Kinën


Presidenti kinez Hu Jintao përshëndeti takimin e sotëm të nivelit të lartë me kryeministrin japonez Shinzo Abe si një pikë kthesë në marrëdhëniet shpesh të tendosura midis të dy vendeve.

Kryeministri Abe u takua me presidentin kinez Hu Jintao dhe kryeministrin Wen Jiabao për disa orë në takimin e parë të nivelit të lartë midis dy vendeve në pesë vjet. Udhëheqësit kinezë kishin refuzuar të takoheshin me ish kryeministrin japonez, Juniçiro Koizumi, kryesisht sepse ai vizitoi një tempull të kohës së luftës në Tokio, i cili ka ngjallur shumë debate. Edhe kryeministri Abe ka vizituar tempullin, por nuk ka thënë sot në se do të bënte një vizitë të tillë gjatë kohës në postin e kryeministrit. Kryeministri japonez shkoi sot në Kinë për të riparuar marrëdhëniet që janë keqësuar nga historia e luftë së Japonisë, mosmarrëveshjet territoriale dhe rivaliteti strategjik në rritje.

Programi bërthamor i Koresë së Veriut ishte gjithashtu në rendin e ditës së bisedimeve. Udhëheqësit kinezë dhe japonezë nxorrën një deklaratë ku shprehën shqetësim të thellë rreth kërcënimeve të fundit të Phenianit për të kryer prova bërthamore. Para se të shkonte në Pekin, zoti Abe, paralajmëroi se Korea e Veriut do të përballet me një izolim më të madh ndërkombëtar në se kryen provat, ashtu siç ka njoftuar. Zoti Abe shkon nesër në Korenë e Jugut në përpjekjeve për të riparuar marrëdhëniet e tensionuara me Seulin.

XS
SM
MD
LG