Lidhje

Disa eshtra të Kristofor Kolombit mund të jenë varrosur në një katedrale të Seviljes


Shkencëtarët gjenetistë thonë se disa eshtra të Kristofor Kolombit janë varrosur brenda katedrales në Sevilje të Spanjës. Ky zbulim mund të ndihmojë për t’i dhënë fund një debati 100 vjeçar lidhur me vend ndodhjen e varrit të këtij eksloruesi të madh. Shkencëtarët thonë se mostrat e ADN-së nga një kockë 500 vjeçare hedhin poshtë pretendimin e republikës Domenikane se varri i Kolombit ndodhet në këtë ishull të kontinentit amerikan.

Kristofor Kolombi njihet si zbuluesi i Amerikës. Ai arriti në këtë kontinent në vitin 1492, duke zbritur në brigjet e ishullit Hispanola, i cili sot përbëhet nga dy shtete, Republika Domenikane dhe Haiti.

Historianët kanë debatuar për më shumë se 1 shekull nëse varri i këtij eksploruesi ndodhej në Republikën Domenikane apo në Spanjë. Tani shkencëtarët spanjollë thonë se kanë prova se të paktën disa eshtra të Kolombit ose Kristobal Kolon ndodhen në një varr në katedralen e Seviljes.

Biografja e Kolombit, Konsuelo Varela është autore e mbi 100 librave, shumë prej të cilëve rreth eksloruesit. Ajo thotë se paqartësia rreth vendit të varrit të Kristofor Kolombit është shkaktua pasi trupi i tij u varros e zhvarros shumë herë, dhe ka të ngjarë që disa eshtra të Kolombit të jenë varrosur në Santo Domingo të republikës Domenikane.

Një grup ekspertësh kanë punuar prej vitesh për zbardhjen e këtij misteri.

Grupi i shkencëtarëve i kryesuar nga gjenetisti Hoze Antonio Lorente, morri disa mostra të ADN-së nga fragmente kockash në varrin në Sevilje dhe i krahasoi ato me ADN-në nga eshtrat e vëllait të Kristofor Kolombit, Diego gjithashtu i varrosur në këtë qytet jugor spanjoll.

Shkencëtari Lorento thotë se gjatë punës kërkimore ata u ndeshën me vështirësi të shumta teknike. Atyre iu desh të zhvarrosnin dhe ekzaminonin eshtrat e vëllait të Kolombit për të bërë një krahasim të përshtatshëm të ADN-së që tregoi se Diego dhe Kristofor Kolombi ishin vëllezër të paktën nga nëna.

Antropologu Manuel Botella punoi në këtë projekt përkrah gjenetistit Lorente, duke përdorur teknologjinë më të fundit për të analizuar fragmentet e kockave. Ai thotë se në sajë të analizave u krijuar një ide e saktë edhe rreth disa karakteristikave fizike të Kolombit.

Gjatë procesit, mostra të eshtrave të Kolombit u dërguan në institute e laboratorë të ndryshëm në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.

Në Spanjë, profesor Daniel Turbon pranë universitetit të Barcelonës, analizoi eshtrat e vëllait të Kolombit.

Ai thotë se ADN-ja e Diego Kolombit ishte dëmtuar rëndë si pasojë e motit tepër të nxehtë në këtë rajon të Andaluzisë.

Barcelona pranë detit është qyteti që lidhet ngushtë me Kolombin ndërsa eksploruesi mbriti në këtë qytet pas kthimit nga udhëtimi i tij i parë në kontinentin e ri. Statuja e Kolombit mbizotëron bregdetin e Barcelonës.

Doktor Lorente thotë se rezultatet gjenetike tregojnë me një siguri prej 99 përqind se eshtrat nga varri në katedralen e Seviljes janë të Kristofor Kolombit.

Megjithatë, historiania Varela thotë se vendndodhja e varrit të Kolombit ka pak rëndësi, ajo që ka rëndësi është arritja e tij, zbulimi i Amerikës. //kk//

XS
SM
MD
LG