Lidhje

Zëdhënësja e kryenegociatorit: Fundi i vitit mbetet afati për zgjidhjen e statusit të Kosovës


Negociatorët ndërkombëtarë për statusin e Kosovës thonë se vazhdojnë të punojnë sipas afateve të vendosura më parë nga Grupi i Kontaktit. Zëdhënësja e kryenegociatorit Marti Ahtisari, Hua Jang, i tha sot Zërit të Amerikës, se ekipi i zotit Ahtisari po punon për përgatitjen e propozimit për statusin e Kosovës, i cili do të diskutohet me Prishtinën dhe Beogradin, pastaj me Grupin e Kontaktit dhe në fund do t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit. Zonja Jang pohoi se bisedimet për vetë statusin e Kosovës midis Prishtinës dhe Beogradit janë në një pikë të vdekur, sepse pozicionet e palëve janë pavarësia për Prishtinën dhe autonomia e gjerë për Beogradin. Por për diskutimin e çështjeve teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, zonja Jang, thekson se ende nuk ka ardhur në atë pikë, kur negociatorët nuk do të dëshironin mbajtjen e takimeve të tjera për to, sepse ata mendojnë se ende ka vend për koncensione të tjera.

Zëdhënësja e zotit Ahtisari, Hua Jang, tha se afati kohor i Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës është ende ai i vendosur nga grupi i Kontaktit, fundi i këtij viti. Zonja Jang tha se ekipi i zotit Ahtisari, po vazhdon të punojë intensivisht në propozimin që do të bëjë kryenegociatori për statusin e Kosovës.

Ky propozim do të diskutohet më parë me të dyja palët, pastaj do t’i paraqitet Grupit të Kontaktit dhe më pas Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zonja Jang nuk mund të jepte ndonjë afat kohor për këto hapa, kur do t'u paraqitet palëve propozimi, kur do t'i paraqitet Grupit të Kontaktit dhe kur Këshillit të Sigurimit.

Zëdhënësja e zotit Ahtisari, nuk dëshironte të komentonte për ndikimin e referendumit serb për kushtetutën që e shpall Kosovën pjesë të Serbisë dhe as për ndikimin që mund të ketë ky referendum dhe zgjedhjet e pritshme në Serbi, në procesin e statusit të Kosovës.

Zonja Jang tha gjithashtu se negociatorët ndërkombëtarë do të dëshironin të mbanin takime të tjera në Vjenë midis palëve për çështjet e diskutuara deri tani, por vetëm nëse palët do të dëshironin të bënin koncensione të tjera. Ne do të donim që këto takime të jenë me kuptim, tha zëdhënësja e kryenegociatorit Ahtisari.

Zonja Jang pohoi se bisedimet për vetë statusin e Kosovës midis Prishtinës dhe Beogradit janë në një pikë të vdekur, sepse pozicionet e palëve janë pavarësia për Prishtinën dhe autonomia e gjerë për Beogradin. Por për diskutimin e çështjeve teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, zonja Jang, thekson se ende nuk ka ardhur në atë pikë kur negociatorët nuk do të dëshironin mbajtjen e takimeve të tjera për to, sepse ata mendojnë se ende ka vend për koncensione të tjera.

Zëdhënësja e kryenegociatorit Ahtisari, pohon ekzistencën e dy terminologjive për statusin e Kosovës, statusi i ardhshëm dhe statusi përfundimtar, gjë që në fakt lidhet me praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë pas statusit.

Zonja Jang pohoi se termi statusi i ardhshëm i Kosovës është në mandatin e zotit Ahtisari, siç është dhënë nga Kombet e Bashkuara, ndërsa termi statusi përfundimtar është siç është emëruar në dokumentet e Grupit të Kontaktit.//lk

XS
SM
MD
LG