Lidhje

USAID-i ndihmon reformat në mjekësinë shqiptare


Shtetet e Bashkuara dhe USAID po financojnë në Shqipëri disa projekte të përmasave të mëdha në fushën e mjekësisë, vecanërisht në sektorin e shëndetit publik.

Projektet e shtrira në pesë qytete të mëdha të vendit po ndihmojnë publikun e gjerë për një shërim të shpejtë nga një anë dhe po modernizojnë konceptet dhe strukturat e ekipeve të shëndetësisë shqiptare sipas mjekësisë bashkëkohore. "Transformimi duhet të fillojë që nga fakulteti i mjekësisë, që nga kurikulat e studentëve - mjekë të ardhshëm - të cilët duhet të jenë të formuar ashtu si në të gjitha disiplinat, edhe në fushën e shëndetit publik". - tha ministri i shëndetësisë, Maksim Cikuli në një konferencë rajonale për problemet e këtij sektori. Ai theksoi se shëndetit publik po i kushtohet tani më shumë vëmendje dhe buxhet, në mënyrë që qytetarët të marrin mjekim të shpejtë shumë kohë përpara se të kenë nevojë për ndërhyrje klinike. "Ne nuk kursejmë për asnjë të sëmurë që mjekohet për shembull nga kanceri pulmonar, por duhet të vlerësojmë edhe mjekët që bëjnë promocionin në luftën kundër duhanit, sepse ata shpëtojnë shumë jetë njerëzish." - tha zoti Cikuli.

Në konferencën rajonale mbi shëndetin publik, drejtori i USAID për Shqipërinë, Eduard Landau, thotë se reforma shqiptare në sistemin e mjekësisë po mbështetet nga kjo agjenci për të realizuar planifikime afatgjata në shërbimet mjekësore, menaxhimin e kapaciteteve dhe modernizimine tyre. "Qeveria e Shqipërisë ka deklaruar se mjekësia është në krye të prioriteteve në programet e saj të zhvillimit dhe ky është një hap në drejtimin e duhur" - tha zoti Landau. Ai tha se USAID do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në zhvillimin dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, dukë bashkëpunuar ngushtë me zyrtarët vendas.

Në konferencën rajonale, ekspertë të njohur shqiptarë dhe amerikanë shkëmbyen përvoja dhe përfundime të studimeve të tyre në mjekësinë parandaluese, në dëmtimet e shëndetit nga mënyra e jetesës ( me duhan, alkool, kequshqim dhe AIDS) dhe nga ndotja e mjedisit. Sipas studiuesve, Shqipëria dhe disa vende të tjera në rajon renditen në nivelet më të ulta në botë përsa i përket shpenzimeve shëndetësore për frymë të popullsisë; gjendje që, sipas tyre, mund të ndryshojë vetëm me investime të konsiderueshme.//rd//

XS
SM
MD
LG