Lidhje

Maqedoni: Parlamenti shkarkon prokurorin e përgjithshëm


Parlamenti i Maqedonisë shkarkoi mbrëmë me shumicë votash prokurorin e përgjithshëm Aleksandar Përçevski. Deputetët e opozitës braktisën seancën, duke nënvizuar se shkarkimi i zotit Përçevski është antikushtetues dhe i motivuar politikisht nga partitë në pushtet.

Kërkesën për shkarkimin e kryeprokurorit e kishte bërë qeveria gjatë muajit të kaluar. Në propozimin e saj thuhej se prokurori e ka kryer detyrën në mënyrë të pandërgjegjshme dhe joprofesionale dhe se përveç kësaj ai akuzohet si pengues në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.

Sipas Qeverisë, nuk janë hetuar raste të rënda të krimit të organizuar në institucionet shtetërore. Në seancën e mbrëmshme nuk ishte i pranishëm kryeprokurori Përçevski, i cili gjithashtu nuk bëri komente për shkarkimin e tij.

Partitë në pushtet propozojnë që prokuror i ri i vendit të zgjidhet një personalitet i njohur ndërkombëtar në sferën e drejtësisë. Por kushtetuta e Maqedonisë nuk lejon një gjë të tillë.

Opozita dhe një pjesë e ekspertëve të drejtësisë vlerësojnë se kjo do ta bënte Maqedoninë protektorat ndërkombëtar. Institucionet shtetërore paralajmërojnë ndryshimin e ligjit për prokurorinë dhe shpalljen e një konkursi ndërkombëtar për prokuror të përgjithshëm të vendit.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka nënvizuar se prokurori i huaj do të ishte më efikas dhe më i pavarur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Detyrën e prokurorit do ta kryejë përkohësisht zëvendësprokurori i përgjithshëm.

Kryeprokurori Aleksandar Përçevski u emërua nga parlamenti në vitin 2002, dhe shkarkimi i tij vjen pa përfunduar mandati i tij gjashtë vjeçar. //ii

XS
SM
MD
LG