Lidhje

Reagime për anëtarësimin e Shqipërisë në Nato


Në Shqipëri deklarata e presidentit amerikan Bush në takimin me kryeministrin kroat se ai do t’i kërkojë takimit të nivelit të lartë të Natos që do të mbahet në Rigë, t’i bëjë ftesë për anëtarësim Kroacisë ne 2008, u shoqërua me shqetësim në Tiranë, duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia, dy vendet e tjera të Kartës së Adriatikut nuk u përmendën fare.

Viti 2008 shihet nga qeveria shqiptare si një moment kur Shqipëria do të mund të marrë ftesën për t’u anëtarësuar në Alencën e Atlantikut. Por kryetari i Partisë socialiste Edi Rama e konsideroi sot një lajm të keq për Shqipërinë deklaratën e bërë nga presidenti amerikan dhe bëri për këtë përgjegjëse qeverinë: "Mosthirrja e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO jo vetëm në kohën e premtuar më kot nga qeveria në programin e saj por as në kohën kurt thirrety Kroacia sigurisht është një lajm i keq që ka të bëjë me standartet e demokracisë në radhë të parë e pastaj dhe me mungesën e reformave"., tha zoti Rama.

Por ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e shikon tërësisht ndryshe deklaratën e Presidentit amerikan: "Eshte sinjali i parë që 2008 do të jetë samiti i zgjerimit dhe mendoj se është një sinjal shumë pozitiv jo vetëm për Kroacinë por dhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Sinjali i Rigës sipas të gjithë kontakteve që ne kemi deri tani do të jetë një sinjal pozitiv për anëtarësim, për marrjen e ftesës për Kroacinë, Maqedoninë e Shqipërinë, qofte edhe për Gjeorgjinë. Vlerësimi do të jetë një vlerësim në grup i vendeve të A3, por njëkohësisht do të kërkohet performanca e cdo vendi për plotësimin e detyrimeve që ka. Shqipëria ka një detyrë plotësimin e standarteve. Vendimin politik e kanë vendet e Natos". Ministri i Mbrojtjes Mediu tha se ka një vlerësim pozitiv nga ana e administratës amerikane për vendet e kartës së Adriatiku. Ai kujtoi kërkesën e paraqitur në senatin amerikan nga ana e kryetarit të Komisionit të jashtëm Lugar për t’i dhënë mbështetje tre vendeve ballkanike për anëtarësim si dhe vizitën e para pak kohëve në Tiranë të sekeratrit amerikan të Mbrojtjes Donald Rumsfled. Sipas ministrit Mediu politika shqiptare duhet që me konsensus të mbështesë reformat në fushën e mbrojtjes të cilat do të mundësojnë anëtarësimin e vendit në Aleancën e Atlantikut.

XS
SM
MD
LG