Lidhje

Analizë e përparimit në bisedimet për statusin e Kosovës


Qendra Woodrow Wilson në Washington mblodhi dje disa ekspertë për të analizuar negociatat e statusit të Kosovës të cilat mund të përfundojnë gjatë javëve apo muajve të ardhshëm. Të gjashtë folësit parashikuan se do të ketë vështirësi gjatë muajve të ardhshëm. Pas shtatë vjetësh nën administrimin e komunitetit ndërkombëtar, kanë filluar lëvizjet për të përcaktuar statusin e Kosovës, shumica e popullsisë të së cilës është shqiptare.

Serbia e kundërshton pavarësinë, ndërsa shqiptarët refuzojnë çdo mundësi tjetër. Kosova administrohet nga Kombet e Bashkuara ndërsa siguria është përgjegjësi e paqeruajtësve të NATOs.

Veton Surroi, anëtar i ekipit negociator të Kosovës, paralajmëroi për rrezikun e një përfundimi me një pavarësi të pjesshme dhe të paqartë, prej ku Kosova do të mbetej një territor i dobët dhe i papërcaktuar mirë. Kosova, tha ai, duhet të bëhet një komb plotësisht i pavarur dhe sovran.

“Kjo është për arsye praktike. Vetëm vendet sovrane marrin përgjegjësi. Prandaj ky duhet të jetë vend sovran që do të marrë përgjegjësinë për gjithçka, për sigurinë dhe të tjera.”

Steven Meyer, profesor në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të qeverisë amerikane, vuri në dukje rreziqet që mund të dalin si rezultat i pavarësisë.

“Kosova është një vend i vogël, plot me krime, i varfër dhe me papunësi të lartë, e cila ka qenë gjithmonë e integruar në një treg më të gjerë rajonal.”

Shqetësime u ngritën edhe për pakicën serbe të Kosovës, e cila ka frikë nga shqiptarët, prandaj ka edhe nevojë për mbrojtje nga forcat e NATOs. Vladimir Matic nga Universiteti Clamson tha se do të ishte tragjedi nëse këta 100 mijë serbë të mbetur do të detyrohen të largohen. Ross Johnson nga Institucioni Hoover tha se kjo është një mundësi reale meqenëse 70 përqind e serbëve të Kosovës thonë se nuk duan të jetojnë në Kosovën e pavarur.

“Ajo që përsëritet herë pas here është se serbët nuk mund të mbijetojnë në një Kosovë të pavarur. Nëse e beson këtë, dhe nëse duket se Kosova do të bëhet e pavarur, atëherë merr parasysh pasojat dhe nëse i ke mundësitë largohesh.”

Në vitin 1999 NATO-ja ndërmori një fushatë tre-mujore bombardimesh kundër serbëve që akuzoheshin për spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në shkurt të këtij viti, Kombet e Bashkuara filluan negociatat për statusin ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë që këto bisedime kanë ngecur pa ndonjë marrëveshje, kryenegociatori i OKB-së është autorizuar të paraqesë propozimin e tij për statusin, i cili mund të bëhet i njohur së shpejti.
XS
SM
MD
LG