Lidhje

Sërvër: Shqiptarët e Kosovës duhet të mos harrojnë se objektivi është sovraniteti


Mandati i Zyrës së të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin e Kosovës u zgjat deri në qershor të vitit të ardhsëm. Njoftimi bëhet mes komenteve të shumta të kohëve të fundit për afatin e zgjidhjes së çështjes së statusit. Ndërsa qarqet zyrtare kanë shprehur mendime të ndryshme, analistët e çështjeve ballkanike duket se janë të një mendimi se viti 2006 nuk do të sjellë një marrëveshje për statusin e Kosovës, për shkak të mbajtjes së referendumit dhe zgjedhjeve parlamentare e presidenciale në Serbi.

Vështirësitë për arritjen e një marrëveshjeje për statusin e Kosovës kanë qënë më se të qarta që prej fillimit të negociatave Beograd-Prishtinë. Për muaj me radhë, palët nuk arritën dot një konsensus për çështjet teknike, ndërkohë që statusi politik është komplikuar më tej nga vendimi i Beogradit për të mbajtur një referendum për kushtetutën e re, që do të pasohet nga zgjedhjet. Analisti Daniel Sërvër i Institutit Amerikan të Paqes, thotë se ndërsa duket qartë se Beogradi po përpiqet të shkaktojë shtyrje, shqiptarët duhet të tregohen të duruar.

“Mendoj se për momentin Beogradi po përpiqet të shkaktojë vonesa në gjetjen e një zgjidhjeje të statusit të Kosovës. Mendoj se do të ketë shtyrje disa mujore e jo disa vjeçare. Por populli i Kosovës duhet të tregojë durim e qetësi, sepse dhuna vetëm do të dëmtonte kauzën e tyre. Që t’u kërkosh njerzve të jenë të duruar në këtë fazë, pasi iu premtua një zgjidhje deri në fund të vitit, do të shkaktojë zhgënjim dhe do të forcojë elementët ekstremistë në Kosovë, të cilët do të donin të vepronin. Në se ekstremistët ia arrijnë kësaj, ata do ta bëjnë gjendjen edhe më të vështirë në Kosovë, sepse shpërthimi i dhunës do të çonte në ndarjen e Kosovës dhe në mos njohjen nga komuniteti ndërkombëtar, dhe kjo me të vërtetë do të ishte fatkeqësi. Më vjen keq ta them, por gjëja më e mirë që njerzit në Kosovë mund të bëjnë është të jenë të duruar, t’i mirëpresin sërbët në shtëpinë e tyre, t’i trajtojnë ata si duhet dhe të shikojnë nga e ardhmja.”

Komentet e para mbi mundësinë e shtyrjes së afatit të zgjidhjes së statusit të Kosovës u bënë nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, i cili tha se zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës mund të shtyhet deri pas referendumit këtë muaj për kushtetutën e re dhe zgjedhjeve në Serbi, që mendohet se mund të zhvillohen në dhjetor.

Vetë shqiptarët e Kosovës janë kundër çdo shtyrjeje, duke thënë se kjo mund të kishte ndikim negativ për stabilitetin në rajon.

Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, tha gjatë një takimi në Bruksel me zyrtarët e Natos se planet e tij nuk kanë ndryshuar.

“2006 vazhdon të jetë objektivi im. Unë nuk kam dëgjuar ndonjë gjë tjetër nga Grupi i Kontaktit dhe nuk dëshiroj të marr pjesë në spekullime lidhur me zgjedhje apo referendume që mund të zhvillohen. Tani për tani, plani im është që të jem gati për ta paraqitur propozimin përpara fundit të vitit.”

Por Grupi i Kontaktit, ndërkohë vendosi ta zgjasë mandatin e kryenegociatorit Ahtisari deri në mes të vitit të ardhshëm. Analisti Daniel Sërver, thotë se sido që të ndodhë, shqiptarët duhet të mos harrojnë një gjë: objektivi është që të fitojnë sovranitetin.

“Është më se e qartë se Beogradi nuk i shikon shqiptarët më si qytetarë të Sërbisë, vetë fakti që ata nuk do të marrin pjesë në referendum, madje Beogradi nuk synon t’i qeverisë shqiptarët, Kosova do të vetë-qeveriset. Jam i një mendimi me ish Presidentin Rugova se Kosova është tashmë e pavarur, por asaj i mungon njohja nga komuniteti ndërkombëtar si një vend sovran. Populli i Kosovës duhet ta mbajë këtë në mëndje, se çështja është sovraniteti dhe sovraniteti fitohet nëpërmjet njohjes nga vendet e tjera dhe këto vende nuk do ta njohin sovranitetin në se ai kërkohet me forcën e armëve.”

Zoti Sërver thotë se ndërsa ekziston një konsensus i përgjithshëm se në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë e Evropës dhe e aleancës ndër-Atlantike, për momentin, komuniteti ndërkombëtar nuk është i një mendimi se ç’duhet bërë tani. Sidoqoftë brenda këtij viti, ose brenda një kohe relativisht të shkurtër, me një vonesë disa mujore, po të pyesësh zotin Sërver, shqiptarët e Kosovës do të marrin përgjigjen e shumë pritur për pyetjen e tyre: A do të jetë Kosova e pavarur dhe kur? //ze//

XS
SM
MD
LG