Lidhje

Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë mbështet përpjekjet e qeverisë për tërheqjen e investimeve


Megjithëse një raport i fundit i Bankës Botërore e radhit Shqipërinë ulët në klasifikimin e treguesve për tërheqjen e investimeve të huaja, drejtoresha e kësaj banke për Shqipërinë është optimiste se vendi po ecën në drejtimin e duhur. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Orsalia Kalanzopoulos flet për nismën Shqipëria Një Euro për sfidat në fushën e energjitikës dhe shqetësimet për zbatimin e ligjit të shërbimit civil.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë thotë se raporti "Si të Bësh Biznes në Shqipëri" nuk është elementi i vetëm për të vlerësuar aftësinë e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja. Po të shohësh përtej shifrave, thotë zonja Orsalia Kalanzopoulos gjen diçka që nuk e gjen në shumë vende të tjera të rajonit – shpirtin tregëtar të shqiptarëve për të bërë biznes. Qeveria shqiptare nga ana e saj po bën përpjekje për të korrigjuar problemet në frontin legjislativ dhe Banka Botërore do të qëndrojë pranë me ndihmën e saj për iniciativën e re “Shqipëria Një Euro” :

Orsalie Kalanzopoulos: Përsa i përket iniciativës së kryeministrit për të tërhequr investimet e huaja e them me zë të lartë se është drejtimi i duhur por duhet t’i kushtohet vëmendje për të mos krijuar nisma të panevojshme për disa fusha dhe të lihen të tjera pas. Ne jemi më se të gatshëm të ndihmojmë, dhe nuk jemi të vetmit. Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Zhvillim të gjithë partnerët e zhvillimit. Pozitiv është fakti që dialogu është shumë aktiv dhe i drejtë, po shkëmbehen mendime dhe në fund çdo gjë do të bëhet në të mirën e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Banka Botërore ka këshilluar qeverinë shqiptare në reformimin e sektoreve kryesor strategjik si sektorin e energjisë. Për shumë vite, para se ju të bëheshit drejtëresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Banka Botërore ka qënë kundër privatizimit të Keshit si masë e “parakohshme”. Por reforma që ka mbështetur BB duket se nuk ka dhënë rezultate. Shqipëria ka pasur kriza energjitike çdo vit. Kapaciteti prodhues i Keshit nuk është rritur ndërsa kërkesat janë shumëfishuar. Keshi vazhdon të vuaj në shpërndarjen e energjisë dhe vjeljen e të ardhurave ndërsa akuzohet për korrupsion në prokurim. Çfarë nuk shkon në strategjinë ekzistuese?

Orsalie Kalanzopoulos: Së pari dua të them se Kesh-i sot është në gjendje më të mirë sesa ç'ishte dy apo pesë vjet më parë. Pati disa hapa prapa gjatë periudhës para zgjedhjeve, u pakësuan grumbullimet e faturave, dhe ndoshta gjërat nuk u paraqitën ashtu siç ishin por Keshi tani është në një pozicion shumë më të fuqishëm sesa ç’ka qënë. Pagesat e faturave janë përmirësuar. Njerëzit vazhdojnë të kenë probleme me furnizimin me energji, por kjo kompani sot është në gjendje më të mirë. Personalisht kam bindjen se këshilla e Bankës përsa i takon Keshit, për të përmirësuar menaxhimin dhe shpërndarjen ka qënë e drejtë. Ne jemi tani në pozitë për të rekomanduar privatizimin e disa pjesëve të sektorit të energjisë sipas praktikave më të mira. Këshilla jonë është pritur mirë nga qeveria. Përsa i përket shtimit të kapacitetit, shumica e prodhimit të energjisë elektrike vjen nga uji. Shqipëria së bashku me vendet e tjera ka nënshkruar marrëveshje e Evropës Juglindore për energjinë dhe ne jemi financuesit kryesor për linjat e trasmesionit si dhe të reformave të regullatorëve që do të ndërmerren. Ka shumë burime plotësuese në rajon. Për shembull ndërsa Shqipëria e prodhon energjinë nga uji, Kosova mund të bëhet prodhuese e energjisë nga linjiti pasi ka shumë rezerva të cilat po të shfrytëzohen siç duhet do të sjell një nxitje të zhvillimit ekonomik për vendin. Kështu që sfida do të jetë ndërtimi i linjave të transmesionit në mënyrë që të mundësohet tregëtia e energjisë. Për arsye të sigurisë së energjisë Shqipëria duhet të përpiqet të ndërtojë dhe zhvillojë disa kapacitete nga prodhimi i termocentralëve dhe ne së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po financojmë ndërtimin e Tecit të Vlorës.

Zëri i Amerikës: Çfarë po ndodh me projektin e ndërtimit të termocentralit të Vlorës. Përse po vonohet ky proces?

Orsalie Kalanzopoulos: Tenderi për Tecin po zhvillohet sipas rregullave ndërkombëtare të konkurrencës. Për shkak të ndryshimeve në çmimin e naftës që pothuajse u dyfishuan ka ende punë për t'u bërë në drejtim të specifikave të projektit, por procesi i tenderit po vazhdon. Ka disa firma që janë përzgjedhur dhe kompania me çmimin më të ulët do të zgjidhet sipas rregullave të institucioneve financiare ndërkombëtare. Qeveria e re kishte të drejtën të sigurohej se ky ishte investim i duhur dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që e bëri këtë pasi ne nuk duam të japim hua për diçka që qeveria dhe populli shqiptar nuk e do . Ky fakt tregon shumë përgjegjëshmëri nga ana e qeverisë që kërkoi të sigurohej për këtë investim. Vërtet nuk jam e kënaqur që projekti është vonuar dhe nuk kemi qënë në gjendje të disbursojmë por e respektojë punën e ministrisë së energjisë që pa me kujdes të mirat e tij dhe vendosi ta miratojë atë.

Zëri i Amerikës: Opozita akuzon qeverinë për lëvizje politike të personelit të administratës. BB ka mbështetur gjithmonë qëndrimin se radhët e administratës duhet të konsolidohen për të siguruar vazhdimësinë e programeve të nisura. A keni vërejtur ju ndryshime të tilla në punën tuaj dhe a e ndihmojnë apo dëmtojnë ato luftën kundër korrupsionit, që është një nga prioritetet e qeverisë.

Orsalie Kalanzopoulos: Shqipëria nuk është unike në këtë çështje. Ajo që kërkojmë ne të arrijmë është një shërbim civil i vogël, shumë i efektshëm dhe shumë profesional. Qeveritë kur vijnë në pushtet në shumicën e vendeve, ndoshta jo në Britani por edhe në vende si ajo bëjnë ndryshime të personelit. Është e rëndësishme dhe ne e kemi theksuar këtë tek kjo qeveri ashtu siç kemi bërë edhe tek qeveritë e mëparshme që të gjitha ndryshimet që ndodhin në shërbimin civil të bëhen sipas ligjit të këtij shërbimi. Njërëzve megjithatë duhet tu jepet shansi. Në këtë vend, megjithëse unë nuk vij nga ky vend por nga një tjetër shumë i ngjashëm me Shqipërinë, megjithëse ka më shumë se 20 vjet në Bashkimin Evropian, në Amerikë njerëzit janë të pafajshëm pa u shpallur fajtor nga gjykata dhe duhet shumë kohë për të arritur në këtë nivel. Kështu që aty ku ka pikëpyetje, le të ndidhen procedurat. Në se ata shpallen fajëtorë atëhere duhen ndëshkuar. Por veprimet e shpejta në fund të fundit nuk janë shumë të favorshme për profesionalizimin e shërbimit civil përfshi qeverinë dhe e di që qeveria është e përkushtuar për këtë.

XS
SM
MD
LG