Lidhje

Amerikanët në prag të zgjedhjeve për në Kongres


Më 7 nëntor, në Shtetet e Bashkuara zhvillohen zgjedhje të cilat mund të ndryshojnë balancën e pushtetit në Uashington. Demokratët e opozitës shpresojnë të fitojnë kontrollin në të paktën njërën prej dy dhomave të Kongresit, për herë të parë që nga viti 1994.

Kushtetuta amerikane kërkon që zgjedhjet për në kongres të zhvillohen çdo dy vjet. Këtë nëntor votohet për të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, për 33 prej 100 vendeve që ka Senati si dhe për 36 guvernatorë shtetesh. Demokratëve të opozitës u duhet të fitojnë 15 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 6 në senat për të rimarrë kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit. Demokratët mendojnë se publiku është gati për ndryshim, ndërsa republikanët janë të vendosur ta ruajnë shumicën në të dyja dhomat.

Për muaj me radhë, anketat tregojnë se oreksi për ndryshime politike mund t’i ndihmojë demokratëtnë këto zgjedhje. Ja ç’thotë Karlyn Bowman, eksperte për anketat në Institutin “American Enterprise” në Uashington. “Amerikanët janë sot mjaft pesimistë. Mendoj se në shumë aspekte, lufta në Irak u ka lënë atyre një shije të hidhur prandaj mund të vesh re pesimizëm edhe në aspekte që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me luftën në Irak, për shembull pesimizëm për ekonominë, kur ekonomia është në gjendje të mirë.”

Analistët politikë thonë se pakënaqësia e publikut lidhur me luftën në Irak do të jetë një faktor i rëndësishëm në fushatën e zgjedhjeve të këtij viti. Stuart Rothenberg është botues i një reviste politike jo-partiake në Uashington. “Këto nuk janë zgjedhje klasike nga pikpamja e çështjeve që diksutohen. Këtu bëhet fjalë në se votuesit duan ndryshim apo duan të ruajnë statukuonë. Disa njerëz duan ndryshim për shkak të luftës në Irak, disa të tjerë për arsye të imigracionit, të tjerë për shkak të skandaleve. Por nuk do të ketë vetëm një çështje të caktuar, si për shembull taksat, që do të përcaktojnë këto zgjedhje.”

Republikanët e pranojnë se publiku është i pakënaqur nga lufta në Irak, por këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara nuk kanë alternativë tjetër por të vazhdojnë kursin e filluar. Presidenti Bush thotë se lufta në Irak është fronti qëndror i luftës kundër terrorizmit. “Kjo është një luftë midis ekstremistëve dhe radikalëve nga njëra anë dhe të moderuarve, njerëzve që thjesht duan të jetojnë në paqe, nga ana tjetër. Dhe kauza e këtij vendi në këtë shekull është në se do të ndihmohen apo jo forcat e moderimit që të kenë sukses. Kjo është një çështje themelore me të cilët përballen Shtetet e Bashkuara edhe pas mbarimit të mandatit tim.”

Demokratët nuk lenë rast pa kritikuar politikën e presidentit për Irakun, megjithëse nuk kanë një qëndrim të unifikuar se ç’do të bënin ata për këtë konflikt. Ata thonë gjithashtu se lufta në Irak po i pengon përpjekjet amerikane në luftën e përgjithshme kundër terrorit.

Harry Reid i shtetit të Nevadës është udhëheqësi i demokratëve të senatit: “Faktet nuk gënjejnë. Nën administratën Bush dhe me këtë kongres republikan, Amerika është më e pambrojtur, përballet me kërcënime më të mëdha dhe është e papërgatitur për botën plot rreziqe në të cilën ne jetojmë.” Anketat tregojnë se demokratët janë në avantazh në një sërë çështjesh, përfshirë Irakun, ekonominë dhe kujdesin shëndetsor. Por, shumica e anketave tregon gjithashtu se republikanët janë paksa më përpara në çështjen se cila parti do të bënte një punë më të mirë për t’i mbrojtur amerikanët nga terrorizmi. Kjo çështje ishte një faktor kryesor që i ndihmoi republikanët të fitonin zgjedhjet për Kongresin në vitin 2002 si dhe në rizgjedhjen e Presidentit Bush në vitin 2004.

XS
SM
MD
LG