Lidhje

Gjata: Faktori politik mund të rrezikojë mosplotësimin e standarteve për zgjedhjet


Në Shqipëri, edhe mbledhja e së premtes e Komisionit të Reformës zgjedhore i la sërish palët të ndara, pa arritur në asnjë hap të ri. Ndërsa shumica ka mirëpritur disa rekomandime të bëra nga zyra e OSBE-së në Tiranë, opozita i ka kundërshtuar ato dhe ka kërkuar nga qeveria përgjigje për propozimet e bëra prej saj. Një ditë më parë, përfaqësuesit e Bashkimit Europian i kërkuan Qeverisë dhe opozitës që të marrin përgjegjësitë e tyre për përgatitjen e zgjedhjeve. Për të biseduar për këto çështje, Zëri i Amerikës, i mori një intervistë Kryetarit të KQZ-së, Çlirim Gjata.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjata, kur duhen më pak se tre muaj nga afati maksimal për zhvillimin e zgjedhjeve, reforma është tërësisht e bllokuar. Sa e pengon Komisionin Qendror një situatë e tillë?

Çlirim Gjata: Parimisht do të thoja që ne e kemi një listë zgjedhore në Shqipëri dhe duhet ta zbatojmë atë. Por kjo nuk do të thotë se ne jemi indiferentë ndaj reformës zgjedhore. Ka disa rekomandime të OSBE-ODIR-it, mbi të cilat forcat politike janë angazhuar për t’i zbatuar. Sa më shpejt që faktori politik ta realizojë këtë, aq më e lehtë dhe efikase do të jetë për ne realizimi i reformes dhe menaxhimi i tërë procesit, do të thoja. Në fund të fundit, do të thoja, kemi një konkordancë midis palëve, që ta bëjnë këtë reformë; dmth-në, të gjithë jemi koshientë se ndryshime do të bëhen. Por në këtë situatë, është e pashpjegueshme vonesa që kemi. Do të thoja se ngjan paradoksal fakti, se më e rëndesishme është bërë çështja se kur do të bëhen ndryshimet dhe në plan të dytë ka dale ajo që çfarë ndryshimesh do të kemi, apo cilësia e tyre. Ne kemi problem, psh, do të thoja, gjithmonë sipas mendimit tim, riorganizimin e grupeve të rinumërimit të votave në bashkitë e mëdha, apo kemi tezat e hedhura, tashmë ndryshimet numerike në përbërje të komisioneve. Sa më shpejt të formatohen ligjërisht, aq më të lehtë do ta ketë komisioni organizimin e punës. Lidhen këto me një zinxhir punësh në KQZ.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjata, disa muaj më parë, pararendësi juaj zoti Klement Zguri, ngiti një shqetësim për vonesat në procesin e reformave të cilat sipas tij, mund të vinin në rrezik standartet e këtyre zgjedhjeve. Sot jemi po në të njejtën pikë, kur është fjala për bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës për këto çështje. A e shihni ju të vështirë plotësimin e atyre parametrave që kërkohen për zgjedhje të lira e të ndershme në këto kushte të vonuara?

Çlirim Gjata: Unë do ta diskutoja nga këndvështrimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ose këndvështrimi im si kryetar i këtij komisioni, jo nga pikëvështrimi i përplasjes pozitë-opozitë. Ajo që mund t’ju them është kjo: procesi zgjedhor është një proces shumë kompleks. Komisioni, është një institucion me një tagër kushtetues, i cili mban përgjegjësinë kryesore për organizimin dhe zhvillimin dhe së fundi, për çertifikimin e rezultatit zgjedhor; por faktori politik, është ai që ka tagrin kushtetues për riformatimin e kuadrit ligjor. Në këtë këndvështrim, jo për të hequr përgjegjësinë nga vetja, por për të kuptuar të gjithë, se zgjedhjet nuk janë vetëm komisioni, por të gjithë faktorët të marrë së bashku; dhe vetëm kështu mund të realizohet një proces konform standarteve të caktuara. Sigurisht, që komisioni, në mbështetje të faktorit ndërkombëtar në vend, në Shqipëri, ka fituar tashmë një përvojë shumë pozitive. Ne mundësojmë një realizim teknik të procesit, brenda parametrave të këtyre standarteve. Por në se faktori politik, apo faktorë të tjerë të lidhur direkt, ose indirekt me procesin, nuk do të përmbushin përgjegjësitë e veta, apo do t’i realizojnë këto përgjegjësi me vonesë, mund t’ju them se elementët e veçantë të standarteve, mund të rrezikojnë të mos plotësohen.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjata çfarë do të kërkonte komisioni zgjedhor që të realizohej sa më parë, që të paktën të zhbllokohej puna për përgatitjet nga ana e këtij komisioni?

Çlirim Gjata: Çështjet që janë tepër emergjente për t’u zgjidhur, do të thoja për t’u formatuar ligjërisht, së pari është çështja e listës së zgjedhjeve, e dyta, ajo që ka edhe lidhje direkte me neve, është riorganizimi i grupeve të numërimit për bashkitë e mëdha. Gjithashtu kemi edhe çështjen e anketimeve pas zgjedhore, i cili është një kalvar më vete. Ka edhe mjaft probleme të tjera. Këto tre çështje do t’i konsideroja si më imediate për këto zgjedhje.

XS
SM
MD
LG