Lidhje

Shqipëri: Opozita e gatshme për reformën zgjedhore brënda nëntorit


Në Shqipëri drejtuesit e partive të opozitës deklaruan sot se janë të gatshëm për realizimin e reformës zgjedhore brenda muajit nëntor. Në deklaratën e tyre ata veçuan zgjidhjen e dy çështjeve kryesore, atë të listave të sakta të votuesve dhe sigurinë e dokumentave të identifikimit duke këmbëngulur në propozimin e tyre për certifikata të posaçme për ditën e votimit.

Po sot komisioni i ligjeve miratoi propozimet për ndryshimet në kushtetutë që lidhen me zgjerimin e anëtarëve të KQZ-së dhe zgjatjen me një vit të mandatit të të zgjedhurve vendorë.

Vetëm një ditë ka mbetur nga përfundimi i mandatit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore i cili deri tani ka mbetur i bllokuar. Rritja e trysnisë ndërkombëtare është shtuar ditët e fundit për të nxitur realizimin e ndryshimeve dhe përgatitjen e zgjedhjeve. Palët vazhdojnë të deklarojnë se janë të gatshëm për kryerjen e shpejtë të reformës, por ato mbeten sërish larg njëra tjetrës për disa cështje kyçe.

Sot drejtuesit e opozitës u shprehën se mbështetur edhe në deklaratën e parlamentit europian, opozita është e gatshme për të përfunduar reformën brenda nëntorit. Por ata veçuan nevojën e zgjidhjes së dy problemeve, saktësimin e listave të reja të votuesve dhe sigurinë e dokumentit të identifikimit.

Për këtë çështje të fundit ata këmbëngulin në përdorimin e çertifikatave të posaçme: "Mbështesim qeverinë për të nisur procedurat e prokurimit të drejtpërdrejt për prodhimin e çertifikatave të posaçme për zgjedhjet, jashtë vendit me një kompani të miratuar nga Bashkimi Evropian, gjë që është plotësisht e realizueshme për zgjedhjet lokale. Prodhimi i tyre do vetëm dy javë kohë.

Deri tani, kjo kërkesë e opozitës është konsideruar e pamundur për t’u realizuar. Javën e shkuar në parlament, Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi tha se koha nuk premton dhe se një gjë e tillë do të penalizonte qindra mijë shqiptarë. Mbështetje për deklaratën e parlamentit europian ka dhënë edhe qeveria, në fundjavën e shkuar me anë të një deklarate të kryeministrit.

Ndërsa sot komisioni parlamentar i ligjeve miratoi projektin për ndryshimet në kushtetutë sipas marrëveshjes së nënshkruar në gusht. Këto ndryshime parashikojnë rritjen e numrit të anëtarëve të Komisionit qendror të zgjedhjeve dhe zgjatjen deri në 4 vjet të mandatit të të zgjedhurve vendorë.

Realizimi i këtyre ndryshimeve ishte një ndër shkaqet e bllokimit të punës së komisionit të reformës ku dy parti të vogla kishin kërkuar që pa u bërë ndryshimet të mos kalonin as pikat e tjera të rishkimit të kodit elektoral.

XS
SM
MD
LG