Lidhje

Interneti dhe ndikimi i tij në zgjedhjet për në Kongresin amerikan


Ndërkohë që afrohen zgjedhjet për në Kongresin amerikan, kandidatët vazhdojnë të jenë në kërkim të ndonjë avantazhi për të arritur fitore në votimet e 7 nëntorit. Por këtë vit është shtuar si asnjëherë tjetër numri i politikanëve që po mbështeten tek interneti për të biseduar me votuesit, për reklamimin e platformave të tyre dhe natyrisht edhe për të sulmuar kundërshtarët. Njëra nga taktikat më të njohura të fushatave është edhe publikimi i videove politike në internet.

George Allen është senator republikan nga Virginia që po kandidon përsëri. Më parë, disa analistë mendonin se senatori jo vetëm që do t’i fitonte lehtë zgjedhjet por mund të kandidonte edhe për president në vitin 2008. Kjo ishte tablloja para se kundërshtari i tij të publikonte një video për senatorin Allen në faqen elektronike YouTube. Qindra mijëra njerëz e panë videon në internet ku ai përdorte një gjuhë të errët dhe raciste ndaj një kameramani të kundërshtarit të tij. "Ti urojmë mirëseardhjen Makakës. Mirë se erdhe në Amerikë dhe në botën e vërtetë të Virginias". Senatori Allen e quajti indiano-amerikanin S.R. Sidarth...”makaka” që në disa vende nënkupton majmunin. Disa ditë më vonë, dalja e videos ndryshoi garën ndërkohë që media njoftonte rreth saj. George Allen kërkoi falje për javë të tëra duke mohuar se ishte racist, por incidenti dëmtoi fushatën e tij dhe e ndryshoi garën për senatin në Virginia.

S.R. Sidarth është punonjës i një lloji të ri në fushata... Ata quhen gjurmues...dhe filmojnë kandidatët në pritje të ndonjë gafe që mund të përdoret pastaj si mjet politik. Këto lloj filmimesh hidhen në internet në faqe si “YouTube” që nuk egzistonin para zgjedhjeve të 2004-rës. Tani mund të gjesh mbi 70 milion videoklipe të ndryshme në ditë.

Këtë sezon zgjedhjesh, reklamat politike në televizion mbeten metoda e vetme më e fuqishme për të ndikuar mbi opinionin e votuesve. Por strategët politikë e shohin internetin si një mjet të cilit po i shtohet vlera për fushatat. Një forum i kohëve të fundit në Universitetin George Washington u dha konsulentëve të fushatave mundësinë për të dëgjuar këshilla nga krijuesit e faqeve të internetit si themeluesi i faqes elektronike gather-dot-com, Tom Gerace. "Ka një ndryshim thelbësor që po ndodh në fushën e medias. Një largim nga media e organizuar, e redaktuar...drejt medias individuale, medias së krijuar dhe kontrolluar nga individët".

Për politikanët kjo do të thotë më shumë kameramanë si S.R. Smith, për të filmuar gjithçka. Matthew Zablud i cili merret me strategjitë e internetit thotë se kandidatët tani janë më të zbuluar se asnjëhetë tjetër. "Nuk ka dyshim që kjo është falë internetit. Mendoj se është pozitive, kandidatët duhet të mësohen me këtë".

Zablud është zëvendës president i firmës RightClick strategies. Kompania ndihmon korporatat dhe fushatat politike për të përdorur internetin si mjet komunikimi me publikun. Zablud thotë se interneti tani përdoret kryesisht për të grumbulluar fonde dhe organizuar përkrahësit, por teknologjia po synon një arritje tjetër. Ai thotë se për strategjisët politikë, prova e vërtetë për internetin është se kur do të jetë në gjendje që të konkurrojë me televizionin për t’u mbushur mendjen votuesve të pavendosur.

XS
SM
MD
LG