Lidhje

A është lufta kundër terrorizmit, një luftë e tretë botërore?


Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, presidenti Bush u shpalli luftë terroristëve. Që prej atëhere ekspertë të ndryshëm e kanë quajtur këtë luftë si një betejë për të mposhtur ekstremistët islamikë në gjithë botë, ose përplasje të qytetërimeve ose edhe luftë të tretë botërore.

Gjatë muajve të fundit, ish kryetari i Dhomës së Përfaqësusve të Kongresit amerikan, Njut Gingriç, ka shprehur pakënaqësi që udhëheqësi i rrjetit terrorist al-Kaida, Osama bin Ladeni nuk është kapur ende, që Afganistani nuk është ende i sigurtë dhe që në Irak dhune nuk vihet nën kontroll. Për më tepër, ka theksuar zoti Gingriç, Koreja e Veriut dhe Irani vazhdojnë të ndërtojnë programe raketash dhe armësh bërthamore.

Zoti Gingriç i bëri thirrje kongresit që të miratojë një ligj për t’i shpallur Shtetet e Bashkuara të angazhuara në atë që ai e quajti ‘luftë të tretë botërore.’ Një ligj i tillë, për mendimin e tij, do t’i bënte të mundur Shteteve të Bashkuara që të përdorin të gjitha burimet për të mposhtur armikun.

Komentet e ish kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve janë pasuar me reagime të ndryshme. Michael Ledeen, studiues në Institutin amerikan Enterprise dhe autor i librit me titull, Lufta Kundër Mjeshtërve të Terrorit, e cilëson fushatën e tanishme kundër terrorizmit global si luftën e katërt botërore.

“E quaj lufta e katërt botërore, sepse lufta e ftohtë ishte luftë për mua lufta e tretë botërore dhe kjo është e katërta. Dhe kjo sepse qytetërimi perëndimor po sulmohet nga xhihadistët e dhunshëm në të gjithë botën: nga Amerika e Jugut në Azi, Indonezi dhe natyrisht në Evropën perëndimore, Lindjen e Mesme dhe në Shtetet e Bashkuara. Një luftë nuk mund të jetë më globale se kaq.”

Disa historianë janë dakord me këtë vlerësim. Denis Showalter, profesor historie në Kolegjin Kolorado në Denver, thotë se konflikti i tanishëm i armatosur dhe ideologjik, si dhe sulmet terroriste në gjithë botën, përbëjnë një krizë të madhe globale baraz me një luftë botërore.

“Asnjeri nuk dëshiron të përdorë me tepri frazën ‘luftë botërore,’ por me siguri që ne kemi të bëjmë me një krizë madhore me përmasa globale dhe me rrënjë të thella historike.”

Profesor Showalter thotë se lufta globale kundër terrorit ka më shumë karakteristika të një lufte botërore se sa lufta e parë dhe e dytë botërore, të cilat ai i krahason me luftëra civile. Sipas profesorit, një prej karakteristikave të luftës botërore është dimensioni ideologjik.

Por disa dijetarë nuk janë dakord me këtë argument. Alex Roland, profesor i historisë ushtarake në Universitetin Duke në shtetin e Karolinës së Veriut, thotë se dy luftërat botërore ishin ngjarrje të jashtëzakonshme, karakteristikë e gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Një prej karakteristikave të këtyre luftërave ishte aftësia për të përcaktuar të ardhmen e vendeve.

“Gjermania naziste dhe Japonia nën kontrollin absolut të perandorit, e ardhmja e tyre ishte në rrezik dhe që të dy këto vende u zhdukën në të njëjtën mënyrë siç u zhduk në luftën e parë botërore perandoria otomane. Pra fati i vendeve ishte në rrezik, diçka që nuk po ndodh në luftën kundër terrorizmit. Fushata terroriste ka pasur në shekullin e 19 dhe të 20 dhe këto nuk mund të injorohen si të parëndësishme, por ato asqë nuk i afrohen një lufte botërore.”

Profesor Roland thotë se një karakteristikë tjetër e luftërave botërore është numri i madh i viktimave, që kap shifrën e dhjetra miliona njerzve. Ai thotë se në fakt lufta e ftohtë u ndërmor për të parandaluar një luftë të tretë botërore. Sipas profesorit, një luftë tjetër botërore nuk ka të ngjarë të ndodhë në një të ardhme të parashikueshme. Ai vë në dukje se shpesh amerikanët e përdorin frazën ‘luftë botërore’ si mënyrë për të theksuar rëndësinë e një çështjeje, si për shembul lufta kundër kancerit, lufta kundër varfërisë dhe e gjithë kjo gjuhë, thotë profesor Roland, është thjeshtë retorikë.

Dijetarë dhe analistë politikë amerikanë nuk janë të një mendimi se si ta quajnë konfliktin global kundër terrorizmit, por të gjithë janë dakord se terrorizmi është një kërcënim serioz për njerzimin dhe çdo përpjekje duhet bërë për ta mposhtur atë.

XS
SM
MD
LG