Lidhje

Presidenti Bush bën fushatë për kandidatët republikanë në zgjedhjet e Kongresit


Fushata tepër konkuruese e zgjedhjeve të Kongresit amerikan po i afrohet fundit. Anketat e opinionit tregojnë se demokratët e opozitës janë në avantazh. Por Presidenti Bush po punon me këmbëngulje për të garantuar që Partia Republikane të ruajë shumicën në Kongres.

Fokusi i fushatës po ndryshon në orët e fundit. Shumica e amerikanëve kanë vendosur për kandidatët që do të votojnë. Tani qëllimi është që ata të shkojnë për të votuar.

Zgjedhjet e Kongresit që zhvillohen në mes ta mandatit presidencial karakterizohen zakonisht nga një pjesëmarrje e ulët në votime. Këtë vit, kur të dy dhomat e Kongresit janë në pikpyetje, kandidatët po bëjnë çdo përpjekeje që t’i nxisin zgjedhësit të shkojnë në qendrat e votimit.

Presidenti George Bush po bën fushatë me një ritëm që i përngjan më tepër fushatës presidenciale. Ditët e fundit ai ka shkuar në shtetet që e kanë mbështetur atë në të kaluarën, duke u përpjekur të aktivizojë republikanët e bazës.

“Tani ju kërkoj që kur të takoheni me republikanë të tjerë, t’u thoni atyre se e kanë për përgjegjësi të votojnë. Ndërkohë mos i lini mënjanë demokratët dhe të pavarurit e pavendosur”.

Në çdo hap, zoti Bush po thekson dy aspekte në të cilat republikanët janë të fortë: ekonomia dhe sigurimi kombëtar. Ai e di se një shumicë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, në Senat apo në të dyja, mund ta pengojnë platformën e tij gjatë dy viteve të fundit në detyrë, duke ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme arritjet e presidencës së tij.

Iraku duket se është çështja që ka patur ndikimin më të madh tek votuesit. Senator Charles Schumer po ndjek përpjekjet e demokratëve për të fituar përsëri shumicën në Senat. Ai tha në programin televiziv amerikan, “Takim me shtypin”, se amerikanët janë të etur për ndryshime.

“Zgjedhjet janë kthyer në një referendum kombëtar për ndryshime. Dhe kur zgjedhjet bëhen referendum për George Bushin dhe Kongresin që miraton automatikisht atë që bën Presidenti, republikanët humbasin. Pikërisht kjo ka ndodhur nga një cep i vendit në tjetrin.”

Por udhëheqësit republikanë thonë se ata e kanë infrastrukturën e nevojshme për të kontaktuar votuesit e mundshëm individualisht në distriktet kryesore ndërkohë që po afrojnë zgjedhjet dhe theksojnë se çështjet lokale mund të përcaktojnë rezultatet e tyre në shumë pjesë të vendit.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Tom Reynolds nga New Yorku udhëheq fushatën e republikanëve për të mbajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Në programin “Takim me Shtypin” ai tha se çështjet kryesore në distriktin e tij janë ato që prekin drejt për drejt jetën e zgjedhësve.

“E gjithë politika përqendrohet në çështjet lokale. Problemet në pjesën perëndimore të New Yorkut janë vendet e punës, taksat, sigurimet sociale dhe këto çështje kanë qënë në qendër të debatit dhe do të jetë gjithashtu përcaktuese në votimet e të martës”.

Kongresmeni Reynolds pritej të kishte një garë të lehtë për një mandat tjetër në Kongres. Por në fakt ai ka patur vështirësi për shkak të ankesave për mënyrën se si ai e ka trajtuar një çështje etike në Kongres, rastin e një kongresmeni të akuzuar se i ka dërguar email-e me përmbajtje seksuale djemve adoleshentë që punonn si ndihmës në Kongres.

Demokratët duhet të fitojnë 15 vende në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh, për të patur shumicën për herë të parë që nga viti 1994. Ata duhet të fitojnë të paktën 6 vende për të patur shumicën edhe në Senatin prej 100 antëarësh. Anketat tregojnë se demokratët ka shumë të ngjarë të fitojë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, në qoftë se nuk ndodh ndonjë e papritur në momentin e fundit. Më i pasigurt është rezultati i zgjedhjeve për në Senat, ku disa gara kyçe mbeten tepër të ngushta edhe një ditë para votimeve.

XS
SM
MD
LG