Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave kritikon Serbinë për përfshirjen e Kosovës në kushtetutën e saj të re


Grupi Ndërkombëtar i Krizave, kritikoi sot Serbinë për përfshirjen e Kosovës në kushtetutën e saj të re. Grupi i Krizave thotë se ky hap, po e largon më tej Serbinë nga vlerat perëndimore dhe integrimi evropian, duke krijuar kushtet që Serbia të vazhdojë të jetë burim destabilizimi në Ballkan.

Përfshirja e Kosovës në kushtetutë, thotë Nicholas White, drejtor për Evropën i Grupit të Krizave, e bën të pamundur që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës pa një amendament kushtetues, gjë që mund të ndikojë në krijimin e një paqëndrueshmërie politike afat-gjatë.

Qeveria e Serbisë, thotë me tej Grupi Ndërkombëtar i Krizave, po përpiqet t’i shtyjë sa më tej zgjedhjet, me shpresë se një gjë e tillë do të ndikonte tek komuniteti ndërkombëtar për të shtyrë zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Grupi i Krizave paralajmëron se kushtetuta e re mund të përdoret për të vendosur një gjendje të përkohshme emergjente, të cilën qeveria mund ta shfrytëzojë ndaj kundërshtarëve politikë.

Ligjvënësit serb deklaruan zyrtarisht efektshmërinë e kushtetutës së re të vendit, duke theksuar se Kosova është pjesë e pandarë e Serbisë.

Votuesit miratuan muajin e kaluar kushtetutën përmes një referendumi. Në një ceremoni sot, kryetari i parlamentit deklaroi miratimin zyrtar të kushtetutës.

Ligjvënësit duhet të miratojnë legjislacionin për zgjedhjet e reja por partitë politike ende nuk kanë rënë dakort për datën e zgjedhjeve.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se kushtetuta e re do të krijojë paqëndrueshmëri të mëtejshme në Ballkan duke vendosur barrriera për pavarësinë e Kosovës.

Autoritetet e Beogradit dhe përfaqësuesit e shumicës shqiptare të Kosovës kanë qënë të përfshirë në bisedime mbi të ardhmen e Kosovës që nga muaji shkurt por nuk është njoftuar ndonjë përparim.

Shqiptarët këmbëngulin për pavarësi të plotë. Autoritetet e Beogradit kërkojnë që ajo të mbetet pjesë e Serbisë.

XS
SM
MD
LG