Lidhje

Shqipëri: Vazhdojnë mosmarrëveshjet për zgjedhjet


Në Shqipëri vazhdojnë debatet dhe mosmarrëveshjet për çështjen e zgjedhjeve të pushtetit vendor. Kur kanë mbetur më pak se 48 orë nga përfundimi i afatit të komisionit të reformës zgjedhore, nuk ka ende asnjë perparim.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Bamir Topi, duke akuzuar për bllokim socialistët, u shpreh sot se sipas tij, do të shkohet në zgjedhje me kodin e vjetër elektoral. Por një ide e tillë u hodh poshtë nga bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore socialisti Ben Blushi, i cili deklaroi se është e pamundur që të përdoret kodi ekzistues.

Në të vërtetë, të gjitha afatet e parashikuara nga legjislacioni aktual për zgjedhjet janë shkelur prej kohësh, si ato që kanë të bëjnë me listat, ashtu dhe me ngritjen e komisioneve zgjedhore apo aspekte të tjera. Nga ana tjetër edhe një ndryshim i njëanshëm i kodit, duket i pamundur duke qenë se kërkon një numër të madh votash, dhe jo vetëm një shumicë të thjeshtë.

Në ditët e ardhshme, presidenti Alfred Moisiu pritet të shpallë datën e zgjedhjeve. Ai kishte paracaktuar 15 nëntorin si afat pas të cilit do të merrte vendim, në mënyrë që të nxiste palët për të arritur marrëveshje të shpejtë. Kreu i shtetit ka kohë për të shpallur datën deri në fillim të muajit dhjetor.//lk

XS
SM
MD
LG