Lidhje

BE-ja do të negociojë një regjim të ri vizash me 5 vende ballkanike


Bashkimi Evropian ra dakord sot të hapë bisedimet me Shqipërinë, Bosnjen, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë për të lehtësuar regjimin e vizave për këto vende. Masat e reja pritet të thjeshtojnë procesin e aplikimit dhe miratimit të vizës dhe të ofrojnë edhe viza me disa hyrje dhe për afate të gjata qëndrimi. Nënpresidenti i Komisionit Evropian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, Franco Frattini, e përshëndeti këtë hap duke e cilësuar si një provë konkrete mbi atë që ofron perspektiva evropiane.

Zëdhënësi i komisionerit Franco Frattini, Frizo Rozkam Abing, shpjegon në një intervistë për Zërin e Amerikës se Komisioni Evropian ka marrë autoritetin për të negociuar marrëveshje në dy drejtime: "Me këto vende do të bëjmë dy gjëra njëkohësisht: do të negociojmë marrëveshje për lehtësimin e vizave për të lehtësuar kontaktet e shtetasve të vendeve të Ballkanit perëndimor me vendet e Bashkimit Evropian si dhe do të nënshkruajmë marrëveshje ri-atdhesimi që do të parashtrojnë detyrimet për vendet ballkanike dhe për vendet evropiane për rikthimin e personave që ndodhen ilegalisht në Bashkimin Evropian."

Marrëveshjet për lehtësimin e vizave do të përfshijnë pagesa më të ulëta për vizat që marrin shtetasit nga 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe për disa kategori do të shqyrtohen mundësi për të thjeshtuar procesin e marrjes së vizave dhe nxjerrjen e vizave afat-gjata me shumë hyrje. Kategoritë që përfitojnë nga viza të tilla do të vendosen gjatë negociatave, thekson zoti Abing: "Në veçanti po shqyrtojmë si kategori të tilla studentët, dhe studiuesit, për shembull, por këtu mund të përfshihen edhe kategori të tjera të cilëve t’u jepet mundësia të lëvizin pa pengesa të shumta për të shtuar lidhjet kulturore dhe studimore."

Lehtësimi i regjimit të vizave, është i lidhur me arritjen e marrëveshjeve të ri-kthimit që do t’i detyronin vendet e Ballkanit perëndimor të riatdhesonin shtetasit që ndodhen ilegalisht në vende të Bashkimit Evropian. "Ky është një rregull shumë i qartë që rrjedh nga ligji ndërkombëtar. Është e rëndësishme të qartësohet në marrëveshje se çfarë detyrimesh kanë këto vende për të vënë nën kontroll imigracionin e paligjshëm."

Komisioneri Frattini e ka cilësuar vendimin e marrë sot si një provë konkrete për popujt e Ballkanit perëndimor mbi atë që ofron perspektiva evropiane për këto 5 vendeve ballkanike. Por zëdhënësi Abing paralajmëron se kjo nuk duhet interpretuar përtej një marrëveshjeje që lehtëson lëvizjet e qytetarëve të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian: "Procesi që po fillon Bashkimi Evropian me 5 vende ballkanike përfshihet në kontekstin e perspektivës evropiane të këtyre vendeve, por është tepër herët të spekulojmë se çfarë forme konkrete do të marrë kjo perspektivë. Tani duhet të përqëndrohemi në atë që u arrit sot, të nënshkruajmë marrëveshjet dhe të arrijmë zbatimin e tyre, që do të jetë një hap gjigand për t’u treguar këtyre vendeve se çfarë përfitimesh sjell Bashkimi Evropian dhe nuk duhet të humbasim përqëndrimin me skenare që nuk i dimë si do të zhvillohen."

Komisioneri Frattini ka deklaruar se synon ta fillojë procesin e negociatave pa vonesë dhe ka ftuar përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor për një raund të parë bisedimesh më 30 nëntor në Bruksel. Komisioni është zotuar të përfundojë sa më parë negociatat dhe ka caktuar qershorin 2007 si afat për arritjen e marrëveshjeve.

XS
SM
MD
LG