Lidhje

Udhëheqësit e ardhshëm të Kongresit amerikan


Demokratët dhe republikanët vazhdojnë procesin e zgjedhjes së udhëheqësve të tyre me afrimin e muajit janar, kur do të fillojë punën Kongresi i ri nën kontrollin e demokratëve. Që nga zgjedhjet legjislative të 7 nëntorit, ku demokratët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, ata kanë theksuar unitetin dhe gadishmërinë për të bashkëpunuar me republikanët lidhur me luftën në Irak dhe probleme të brendëshme.

Por uniteti është lëkundur pak nga rivaliteti mbi postin e udhëheqësit demokrat të shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ligjvënësja Nensi Pellosi, tashmë e sigurt se do të zgjidhet kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, ka mbështetur zotin Xhon Murtha për postin e udhëheqësit të shumicës.

Ligjvënësi Murtha, veteran i luftës në Vietnam, i njohur për vëmendjen e tij ndaj çështjeve ushtarake, njihet gjerësisht për deklaratën e tij 1 vit më parë, ku bëri thirrje për një tërheqje strategjike të trupave amerikane nga Iraku. Zonja Pellosi pajtohet me këtë mendim. Por mbështetja e saj për zotin Murtha dhe jo për ligjvënësin nga shteti i Merilandit, Steni Hojer, ka shkaktuar një përçarje të vogël në radhët e demokratëve. Megjithëse zoti Hojer ende preferohet për këtë post, disa demokratë kanë filluar të mbështetin zotin Murtha. Tensionet u rritën dje kur zoti Murtha bëri një deklaratë ku akuzonte zotin Hojer për mbështetjen e politikës për mosndryshimin e kursit në Irak, që u mbrojt nga presidenti Bush deri kohët e fundit.

Zoti Hojer u tha gazetarëve se akuza është e pabazë. Ai nuk u kushtoi rëndësi njoftimeve për mosmarrëveshje në radhët e demokratëve, ndërkohë që pohoi se shumica e demokratëve do të mbështetin atë në zgjedhjet për postin e udhëheqësit të shumicës, që do të zhvillohen nesër.

Ndërkohë, demokratët në Senat, zyrtarizuan ekipin e tyre udhëheqës që do të kryesohet nga udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Riid, i cili i paraqiti një ofertë për bashkëpunim dypartiak presidentit Bush mbi Irakun.

“Ky nuk është një problem që do të kalohet lehtë dhe ne nuk kërcënojmë presidentin, por ofrojmë për ta ndihmuar atë duke u shprehur se duhet të punojmë së bashku për të ndryshuar kursin. Ky është edhe vullneti i popullit amerikan dhe ai tashmë e ka kërkuar një ndryshim të tillë.”

Edhe republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë përpara vendime të rëndësishme ndërkohë që afrohen votimet brenda partisë, të ditës së premte për të zgjedhur personat që do të mbajnë postet drejtuese të opozitës.

Rivaliteti në radhët e republikanëve përfshin ligjvënësin nga shteti i Ohajos, Xhon Boner, udhëheqësin aktual të shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, si dhe sfidues të tjerë, si republikani nga shteti i Indianës, Majk Pis dhe Xhon Barton nga Teksasi, konservatorë që premtojnë të udhëheqin republikanët drejt ardhjes në pushtet në vitin 2008.

Zoti Barton reflekton mendimin e republikanëve të tjerë, të cilët pas humbjes në zgjedhjet e 7 nëntorit, thonë se zotimi për ruajtjen e vlearve konservatore është rruga e vetme të arrihet fitorja në vitin 2008.

“Partia Republikane nuk është problemi, Partia Republikane është përgjigjja,” u shpreh zoti Barton.

Republikanët e Senatit do të zgjedhin udhëheqjen e tyre sot, ku senatori nga shteti i Kentakit, Miç McKonell, pritet të zgjidhet pa kundërshtim, udhëheqësi i pakicës në Senat.

Ndërkohë që republikanët vazhdojnë procesin e zgjedhjes së udhëheqësve të tyre në Kongres, ata përballen gjithashtu me thirrje nga disa komentatorë konservatorë, të cilët thonë se republikanët duhet të shtyjnë këto vendime, duke argumentuar se partia ka nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar se cili prej republikanëve do të jetë më efektiv për të përballuar sfidat që republikanët kanë përpara në dy vjetët e ardhshëm. //ze//

XS
SM
MD
LG