Lidhje

Kryeministri Al Maliki kërkon kapjen e menjëhershme të rrëmbyesve


Kryeministri irakian Nuri al-Maliki kërkoi arrestimin e menjëhershëm të personave përgjegjës për rrëmbimet masive të bëra dje në një ndërtesë qeveritare të Bagdatit. Zoti Maliki tha sot në Universitetin e Bagdatit se rrëmbyesit ishin më të këqinj se ekstremistët sepse ata morën peng intelektualë dhe penguan punën e universiteteve.

Ndërkohë, Ministri irakian i Arsimit të Lartë tha se nuk do të marrë më pjesë në mbledhjet e kabinetit, deri në lirimin e të gjithë pengjeve. Dje, persona të armatosur, të veshur si komando të policisë, rrëmbyen dhjetra njerëz në një institut kërkimor në Ministrinë e Arsimit të Lartë. Zyrtarët thonë se shumë nga pengjet janë liruar.

Autoritetet thanë fillimisht se ishin rrëmbyer të paktën 100 njerëz por më pas e ulën këtë shifër. Pesë oficerë të lartë policie të lagjes Karrada të Bagdatit ku ndodhën rrëmbimet, janë ndaluar për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, të paktën 8 vetë u vranë dhe më shumë se 30 u plagosën nga shpërthimi i një makine bombë në Bagdatin qendror. Tre vetë të tjerë humbën jetën nga një sulm vetvrasës ndaj njerëzve që po merrnin pjesë në një varrim.

XS
SM
MD
LG