Lidhje

Andersen: Serbia mund ta shfrytëzojë shtyrjen e statusit


Grupi Ndërkombëtar i Krizave e quajti të rrezikshme shtyrjen e zgjidhjes së procesit të statusit në Kosovë. Drejtuesi i këtij grupi në Prishtinë, Alex Andersen thotë se ekziston një farë nervozizmi mes vendeve evropiane ndërsa komuniteti ndërkombëtar i afrohet aktit përfundimtar lidhur me statusin. Andersen shprehu gjithashtu shqetësim se Serbia mund ta shfrytëzojë shtyrjen për t’i bërë rezistencë zgjidhjes që do të propozojë kryenegociatori Marti Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndërlikimesh prisni ju të sjellë vendimi i zotit Ahtisari për shtyrjen e procesit të statusit në Kosovë?

Alex Andersen: Shtyrja nënkupton se ajo që udhëheqësit kosovarë e shihnin si premtim të Grupit të Kontaktit, ishte në fakt një mendim naiv. Pra ata shpresonin se përfundimi i negociatave për statusin brenda 2006-ës ishte një premtim për ta imponuar statusin, pavarësinë, gjatë këtij viti. Kjo sigurisht që nuk ishte realiste. Tani kemi mundësinë e dy kurseve gjatë fillimit të vitit të ardhshëm. Vetë Ahtisari dhe disa nga anëtarët e Grupit të Kontaktit, vendet si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe deri diku Franca duan të zbatojnë një plan të shpejtë pas zgjedhjeve në Serbi, ndoshta duan që propozimi të paraqitet shumë shpejt pas zgjedhjeve. Megjithatë vetë logjika e shtyrjes së vendimit pas zgjedhjeve në Serbi do t’i bëjë disa anëtarë të Grupit të Kontaktit, të kërkojnë të shohin se si do të veprojë qeveria e re serbe pas zgjedhjeve – pra a do të jetë ajo partnere në mundësinë për të negociuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në se do të ndiqet ky kurs, atëhere do të shohim vonesa të konsiderueshme.

Zëri i Amerikës: Mendoni se Serbia tani është në një pozicion më të mirë sesa ç’ishte 10 muaj më parë kur filluan negociatat? A po fiton Serbia terren ndaj komunitetit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës?

Alex Andersen: Faktet bazë të asaj që komuniteti ndërkombëtar e sheh si mundësi reale për të ardhmen e Kosovës nuk kanë ndryshuar. E vetmja e ardhme e qëndrueshme është pavarësia, pavarësi nën mbikëqyrjen dhe me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, ku Bashkimi Evropian do të luante një rol të rëndësishëm. Ajo që më shqetëson se mund të ndodhë është thellimi i hendekut midis komunitetit ndërkombëtar dhe Serbisë. Serbia do ta interpretojë vonesën si një lloj fitoreje, në përpjekjet për të shtyrë statusin. Komuniteti ndërkombëtar mendon se këto vonesa do ta ndihmojnë dhe do ta lehtësojnë zgjidhjen. Mirëpo në jetën politike të Serbisë ky fakt do të shfrytëzohet për të konsoliduar rezistencën ndaj propozimit që mund të paraqesë zoti Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Rusia e ka bërë të qartë pozicionin e saj përsa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës ndërkohë nuk dimë shumë për pozicionin e vendeve të tjera evropiane si Italia, Franca apo Gjermania e cila do të marrë presidencën e radhës në Bashkimin Evropian në 2007ën.

Alex Andersen: Deri diku, vëmendja që është përqëndruar mbi Rusinë dhe rolin që mund të luajë ajo në Grupin e Kontaktit apo mundësia e vetos që mund të përdorë Rusia ka hedhur hije mbi pozicionimin e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Ka një farë nervozizmi dhe një farë tërheqjeje ndërsa i afrohemi aktit përfundimtar lidhur me statusin e Kosovës. Ka rezerva për t’u angazhuar në vendime drastike që do të merren në të gjithë këtë proces. Kjo është fatkeqësi pasi sa më shumë të shtyhet zgjidhja në 2007-ën, aq më shumë të papritura të pakëndëshme do të vinin; mundësia e ndonjë lloj ndarjeje vetë në Kosovë dhe në se do të arrinim këtu, në se do të arrinim në një situatë ku një fakt i kryer në terren do të tejkalonte vendimin politik të Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit, atëhere do të shkatërrohej një punë shumë e madhe dhe shumë investime që komuniteti ndërkombëtar ka bërë për Kosovën gjatë 7 viteve të fundit. Në se ndodh ndarja në Kosovë ajo do të kishte efekt negativ për të gjithë rajonin.

Zëri i Amerikës: Pas vendimit për shtyrjen e procesit të statusit, politikanët shqiptarë kanë shprehur shqetësimin për përmbajtjen që do të ketë statusi. A mendoni se është premtuar shumë dhe do të ketë njëfarë zhgënjimi? Politikanët shqiptarë kanë folur për një kohë të gjatë për pavarësi të plotë. Në se zgjidhja nuk është pavarësia e plotë, a do të jetë opinioni publik i zhgënjyer?

Alex Andersen: Është një situatë e çuditshme. Në njërën anë, ju me të drejtë thoni se anëtarët e grupit të unitetit në Kosovë kanë lëshuar gjithmonë parrulla për pavarësi të plotë dhe në të njëjtën kohë negocionin me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht me grupet e planifikimit të Bashkimit Evropian. Pra në këtë nivel teknik ata e kuptojnë plotësisht se do të ketë një prani të konsiderueshme ndërkombëtare në Kosovë pas statusit dhe e pranojnë këtë. Ka një mirëkuptim të dyanshëm midis politikanëve shqiptarë dhe planifikuesve të komunitetit ndërkombëtar. Por shqetësues është aspekti kohor. Është ndërtuar një lloj pritshmërie nga politikanët kosovarë për një vendim të shpejtë për pavarësi të imponuar nga komuniteti ndërkombëtar pavarësisht nga Serbia. Ekziston një pikëpyetje e madhe në se komuniteti ndërkombëtar ka vullnetin, apo qëllimin për ta realizuar shpejt këtë zgjidhje. Mund të shohim që vendimi për Kosovën të shtyhet shumë në 2007-ën, megjithëse ne propozojmë që një vendim i shpejtë është më i sigurti. Shoqëria kosovare është e frenuar në shumë aspekte. Për shembull, shtatori në Kosovë gjithmonë shoqërohet me kërcënimin për greva të sektorit publik. Këtë vit kjo nuk ndodhi megjithëse ka patur keqësime në sektorin e shëndetësisë. Ka gjithashtu rezerva të publikut lidhur me shumat e mëdha të parave që qeveria e Kosovës harxhon për vete. Të gjitha këto shqetësime janë shtyrë dhe do të dalin në sipërfaqe në një farë mënyre. Elita politike e Kosovës e vë theksin shumë tek pavarësia si zgjidhja e problemeve të ndryshme dhe kjo mund të shkaktojë tensionime që ne duhet të jemi të kujdesshëm t’i ulim. Politikanët shqiptarë duhet të riformulojnë retorikën e tyre për ta përgatitur publikun për ndoshta një kohë më të gjatë për të arritur tek pavarësia ndryshe nga ç’ishte menduar deri tani.

Zëri i Amerikës: Pas ndërhyrjes së Natos, u tha se lufta u fitua nga Natoja, ndërkohë që shqiptarët duhet të ishin ata që do të fitonin pavarësinë dhe paqen. Gjatë gjithë këtyre viteve, a kanë bërë politikanët shqiptarë sa duhet për realizimin e aspiratave të tyre?

Alex Andersen: Nuk duhet të harrojmë se vendimi për statusin përfundimtar të Kosovës është në duart e komunitetit ndërkombëtar. Pra shumë gjëra janë jashtë kontrollit të tyre. Megjithatë politikanët shqiptarë dhe shoqëria kosovare në përgjithësi mund të bëjnë më shumë, të demonstrojnë sensin e së ardhmes që deri tani nuk është në Kosovë. Ekziston ideja e pavarësisë por pas kësaj të gjitha burimet e imagjinatës të shqiptarëve duket se thahen. Nuk ka plane për periudhën pas statusit. Nuk ka asnjë plan as për periudhën e tranzicionit qoftë edhe për disa muaj. Nuk shohim lëvizje serioze drejt krijimit të kushtetutës, drejt marrëveshjeve për simbolet e shtetit dhe për një llojshmëri pyetjesh praktike për të cilat duhen vendime. Ka shumë retorikë rreth pavarësisë por ka shumë pasivitet nga ana e politikanëve dhe institucioneve rreth punës në terren që do të mundësonin funksionimin e atij që ata shpresojnë që do të jetë një shtet.

XS
SM
MD
LG