Lidhje

Dorëheqja e Sekretarit Rumsfeld shkaktoi reagime të fuqishme në mbarë botën


Duke i dhënë më shumë vota demokratëve se sa republikanëve, votuesit amerikanë treguan në fakt mosmiratimin e tyre për luftën në Irak. Pas zgjedhjeve, Presidenti Bush, pa humbur kohë, bëri të njohur largimin e Sekretarit Rumsfeld, njeriu që shihej si arkitekti i strategjisë në Irak. Douglas Fraser, redaktori i politikës në gazetën skoceze “The Herald in Edinbourgh”, thotë se reagimi i britanikëve në përgjithësi ndaj largimit të Donald Rumsfeldit, ishte se kishte ardhur koha e duhur dhe se zëvendësimi i tij me Robert Gates, që konsiderohet si njeri më realist se sa paraardhësi i tij, është një ndryshim rifreskues.

"Duke patur parasysh dëmet që iu shkaktuan Amerikës dhe aleatëve të saj nga lufta në Irak, ai ka qëndruar shumë gjatë në këtë post; sidomos duke patur parasysh problemet që iu shkaktuan ushtrisë amerikane nga fotografitë me abuzimin e të burgosurve, ai duhej të ishte larguar që atëhere nga ky post. Në se demokratët erdhën me një mandat të tyrin në Kongres, pikërisht ky do të ishte ndryshimi".

Por Rami Khouri, redaktor i së përditshmes Daily Star të Beirutit, thotë se shumica e njerëzve në botën arabe nuk janë të mendimit se largimi i Sekretarit Rumsfled do të sjellë ndonjë ndryshim, ngaqë ata nuk besojnë që individët janë forca lëvizëse e politikës amerikane.

"Disa njerëz e shohin më thellë largimin e Sekretarit Rumsfeld dhe ndoshta ata do ta konsiderojnë si fillimin e një ndryshimi të madh në Washington. Pikëpyetja më e madhe është se për sa kohë do të vazhdojë politika amerikane të drejtohet nga grupi neo-konservator. Vetëm njerëzit të cilët i shohin këto gjëra në thellësi, do të mund t’i dallojnë nuancat e veçanta, si psh., në se Grupi i Studimeve për Irakun, do të bëjë ndonjë rekomandim të rëndësishëm për ndryshim në politikën ndaj Irakut".

Ky grup, i përbërë nga përfaqësues të të dyja partive, i drejtuar nga ish-Sekretari i Shtetit James Baker dhe nga ish-Senatori Lee Hamilton, u takua këtë javë me Presidentin Bush, me këshilltarët e tij kryesorë dhe me disa nga udhëheqësit e Kongresit. Mendohet gjerësisht, se kur rekomandimet e komisionit do të bëhen të njohura muajin e ardhshëm, në to do të përfshihen edhe bisedimet me Sirinë dhe me Iranin. Është interesante, se sekretari i Ardhshëm i Mbrojtes, Robert Gates, ishte anëtar i këtij grupi para emërimit të tij në postin e ri.

Gazetari izraelit, Ori Nir, thotë se Izraeli është i interesuar se si do të ndikojë largimi i Sekretarit Rumsfeld tek politika amerikane në Irak. Por ai thekson se gjatë dy vjetëve të fundit, izraelitët kanë filluar ta shohin politikën amerikane në Irak nëpërmjet prizmit të Iranit.

Megjithatë, Ori Nir thotë se izraelitët janë të ndarë lidhur me ndikimin afatgjatë të rolit të Washingtonit në rajon.

"Zhvillohet një debat në se prania e vazhdueshme e Amerikës në Irak është diçka e mirë, apo e keqe për Izraelin. Kohët e fundit ka patur mjaft debate lidhur me mundësinë e negociatave me Sirinë. Shumë vetë në Izrael, mes tyre edhe anëtarë të kabinetit, thonë publikisht se kjo është një ide e mirë. Një nga arsyet që Izraeli mund ta mirëpresë angazhimin e Sirisë ne kete çështje është se mund t’i vlejë per ta ndarë Sirinë nga Irani".

Ndërsa Igor Zevelev, shef i zyrës së Washingtonit i Agjencisë ruse të Informacionit dhe Lajmeve Novosti News, thotë se pikëpmajet e rusëve lidhur me ndryshimet në Departamentin amerikan të Mbrojtjes janë të ndryshme.

"Ministri rus i Mbrojtjes tha se i kishte pëlqyer komunikimi me zotin Rumsfeld. Ai shton gjithashtu se priste të kishte bashkëpunim me ushtrinë amerikane në trajtimin e kërcënimeve të përbashkëta, pavarësisht nga dorëheqja e zotit Rumsfeld. Po ashtu, analistët në Rusi, kanë thënë se megjithëse Rusia nuk e mbështeti asnjëherë luftën në Irak, dështimi i Shteteve të Bashkuara në Irak nuk do të ishte në interes të Rusisë, pasi ky vend do të kthehej në një strehë të terrorizmit".

Si aleatët, edhe kritikët, shprehin shpresat e tyre se ndryshimi në udhëheqjen civile të Pentagonit do të sillte qëndrueshmëri më të madhe dhe më pak konfrontim në politikën amerikane. //ze//

XS
SM
MD
LG