Lidhje

Qendra Nixon organizoi një diskutim mbi statusin e Kosovës


Qendra Nixon organizoi këto ditë një diskutim mbi të ardhmen e statusit të Kosovës, ku morën pjesë Naser Rugova, kryetar i Lëvizjes “Reforma” brenda partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe një nga anëtarët e bordit të kësaj lëvizjeje, Albatros Rexhaj. Dy anëtarët e Lëvizjes Reforma theksuan nevojën për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës për të shmangur keqësimin e situatës.

Pjesëmarrësit në diskutim theksuan se vendimi për shtyrjen e zgjidhjes së statusit mund të jetë i rrezikshëm sepse mund të keqësojë situatën në vend, sidomos duke pasur parasysh që kosovarët kanë shtatë vjet që presin zgjidhjen e statusit. Kryetari i Lëvizjes Reforma, Naser Rugova, tha se, megjithatë, shqiptarët e Kosovës kanë besim të plotë dhe mbështesim të dërguarin e posaçëm të OKB-së për negociatat Marti Ahtisarin dhe ekipin e tij.

Zoti Rugova vuri në dukje se vonesa në zgjidhjen e statusit do të thotë mospjesëmarrje e plotë në institucionet financiare ndërkombëtare, vonesë e fillimit të marrëveshjes së asocim stabilizimit me Bashkimin Evropian dhe ka një kosto të lartë ekonomike për Kosovën.

"Kosovarët janë populli më i varfër në Evropë, dhe atyre po u kërkohet të paguajnë një çmim të lartë për këtë vonesë. Papunësia në Kosovë është rreth 54% dhe 65% e popullsisë është nën moshën 25 vjeç".

Zoti Rugova u bëri thirrje forcave të Nato-s në Kosovë të ruajnë një prani edhe më të fortë gjatë mujave Nëntor -Janar për të shmangur çdo shkallëzim të mundshëm të situatës.

Albatros Rexhaj, anëtar i bordit të Lëvizjes Reforma tha gjithashtu se nuk mund të ketë një Kosovë të qendrueshme pa një ekonomi të qendrueshme. Ai vuri në dukje se Kosova ka nevojë për udhëheqës të besueshëm dhe të zgjedhur në mënyrë transparente. Kosova tha ai duhet të ketë përparësinë kryesore integrimin e pakicave.

“Gjithka mund të shkatërrohet nëse nuk arrihet integrimi I pakicave".

Zoti Rugova tha se LDK-ja partia më e madhe në Kosovë po shkon drejt profilizimit dhe reformimit. Ai tha se kjo parti po nxit gjithnjë e më shumë afrimin e kuadrove të reja brenda saj.

“Fillimisht Lëvizja Reforma është krijuar si një mekanizëm profesional që mbledh rreth vetes njerëz të rinj të LDK-së të cilët gjatë zgjedhjeve vendore të javës së kaluar kanë dalë me shumë sukses. LDK-ja tani po profilizohet, dhe megjithëse në fillim ka pasur rezistencë ndaj rinisë nga klasa më e vjetër e LDK-së, tani kjo gjë ka ndryshuar".

Zoti Rugova theksoi se Lëvizja Reforma është krijuar pikërisht për nxitjen e ndryshimeve në metodologjinë e punës brenda kësaj partie dhe krijimin e një sistemi kontrolli dhe ekuilibri. //ze//

XS
SM
MD
LG