Lidhje

Një ish agjent rus po lufton me vdekjen në një spital të Londrës


Ish koloneli i KBG-së, Aleksandër Litvinenko, u transferua në një qendër të ndihmës së shpejtë në një spital të Londrës pasi gjendja e tij u keqësua.

Zoti Litvinenko nuk u ndje mirë më 1 nëntor dhe dyshohet të jetë helmuar me një substancë helmuese e njohur si thalium. Aktualisht ai rrethohet nga roje në spital dhe ekspertët e mjeksisë thonë se ai ka 50 përqind shans të shpëtojë.

Duke folur në televizionin britanik, Dr. Xhon Henri, mjek i specializuar në substancat helmuese dhe që po kuron zotin Litvinenko, shpjegoi se sa helmuese është substanca thalium.

“Kjo substancë nuk ka shije, ngjyrë apo aromë. Vetëm një gram i kësaj substance shkakton vdekjen.”

Një mik i ngushtë i zotit Litvinenko, Aleksandër Goldfarb, ishte në spital dhe më pas përshkroi gjendjen e shokut të tij.

“Ai është i lodhur, ende nuk ha dhe ushqehet me sorum, madje ka vështirësi në të folur. Flokët i kanë rënë. Ai duket si një pacient me kancer pas kimoterapisë.”

Ai e ndihmoi zotin Litvinenko të ikte në Britani para 6 vjetësh. Ish agjenti rus ishte një kritik i hapur i Kremlinit dhe i shërbimeve ruse të sigurimit.

Zoti Litvinenko u tha gazetarëve se u sëmur disa orë pasi hëngri sushi në një restorant japonez në Londër, ku u takua me dikë për të folur rreth informacioneve më të fundit lidhur me vrasjen muajin e kaluar të gazetares ruse, Ana Politkovskaja.

Miqtë e zotit Litvinenko kanë akuzuar gjithashtu shërbimet ruse të sigurimit për ndërlikim në helmmin e ish agjentit rus. Një zëdhënës i Kremlinit i hodhi poshtë këto akuza, duke i quajtur si ‘të pabaza’.

Policia britanike tha se ka filluar hetimet për atë që e cilësuan si ‘helmim i dyshuar’. //ze//

XS
SM
MD
LG