Lidhje

Spahiu: Kapja e shtetit fillon tek mungesa e transparencës për financimin e fushatave


Zëri i Amerikës: Zoti Spahiu, për çfarë takimesh keni ardhur këtë herë në Washington?

Kreshnik Spahiu: Është një grup i zyrës për mbrojtjen e qytetarve, e cila ka edhe përfaqësinë e Transperancy International për Shqipërinë. Ne organizojmë një sërë takimesh. Dje kemi patur një takim në Bankën Botërore, në Agjencinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar të SHBA-së, do të kemi një takim në FMN, në Departamentin e Shtetit dhe në Agjencinë kundër Krimit dhe Drogës dhe ca takime të tjera shumë të rëndësishme, të cilat janë në kuadrin e këmbimit të informacioneve të ndërsjellta, që ne kemi me strukturat ndërkomëtrae, duke filluar që nga Bashkimi Evropian e deri tek SHBA, si një nga projektet e suksesshme në Shqipëri detyrat ndaj luftës kundër korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Qeveria aktuale e mori mandatin, me angazhimin që bëri para elektoratit për të luftuar korrupsionin. Ndërsa Organizata Transparency International e ka renditur Shqipërinë 15 vende më lart sipas shkallës së korrupsionit, ka patur kritika se nuk ka patur asnjë ndjekje penale, për zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion. Si do ta vlerësonit ju, ecurinë e luftës kundër korrupsionit?

Kreshnik Spahiu: Është një pyetje shumë e drejtë: Shqipëria nga vitit 2005 deri në vitin 2006, ka patur një progres të dukshëm, i cili ka ngjitur 15 shkallë në raport me indeksin e vitit të kaluar, të vlerësuar nga Transparency International. Do të thoja që ky progres, disi minimal, por megjithatë i dukshëm, vjen si pasojë e një vullneti të dukshëm të qeverisë dhe të disa hapave konkretë për të mënjanuar konfliktin e interesave brenda qeverisë dhe për të ngritur një kabinet me duar të pastra; gjithësesi ky është një hap i parë, ende i pamjaftueshëm, pasi treguesit e qeverisë do të duken në muajt, apo vitet në vijim: në se qeveria e re e zotit Berisha do të jetë e aftë të godasë edhe zyrtarët e vet, të cilët potencialisht mund të korruptohen në të ardhmen. Përsa i përket pyetjes në se në Shqipëri nuk ka ende zyrtarë të lartë të korruptuar, do të thoja, që dy vjet më parë, në studion tuaj, kam bërë një deklaratë, duke e cilësuar Shqipërinë si Kolumbinë e Evropës, për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike; përsa i përket pyetjes, suaj, përsa i përket pyetjes suaj për përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, do të thoja se në indeksin aktual, Shqipëria është 60 shkallë më keq se sa Kolumbia. Ne sapo vijmë nga Guatemala dhe jemi njohur me disa hapa që kanë bërë vendet e Amerikës Qendrore dhe Amerikës Latine, Kolumbia, e cila njihet për nivelin e lartë të krimit dhe të korrupsionit, ka ndërmarrë reforma shumë më radikale në sistemin e drejtësisë dhe në pushtetin gjyqësor, duke bërë të mundur, që sistemi i shtetit të së drejtës në këtë vend të bëjë të mundur të bëjë hapa shumë progresivë, ndërsa Shqipëria fatkeqësisht është 60 shkallë më keq se sa Kolumbia në luftën kundër korrupsionit. Në anën tjetër, do të thoja se ndonëse ka një progres të dukshëm, përsëri Shqipëria mbetet në të njëjtat kuota me Zambian, apo Laosin dhe ka hapa më të ngadaltë se sa vendet që kanë të njëjtat aspirata juridike, apo politike për t’u anëtarësuar në BE. Pra, Shqipëria ka bërë më pak progres se Kroacia, se Turqia, apo vendet në rajon, të cilat janë përfshirë në të njëjtën procedurë të anëtarësimit në BE.

Zëri i Amerikës: Të ndalemi pak tek sistemi i drejtësisë, aq shumë i përfolur si i korruptuar në Shqipëri, por edhe objekt kritikash nga organizmat e ndryshme ndërkombëtare. Shteti do ta luftojë korrupsionin nëpërmjet instrumenteve të tij, si policia, prokuroria, apo gjyqësori, por ato janë vetë të korruptuara. Në kotë kushte a ju duket sikur kemi të bëjmë me një rreth vicioz, nga ku është shumë e vështirë të dilet?

Kreshnik Spahiu: Lufta kundër korrupsionit është një simfoni, e cila kërkon shumë instrumenta; do të thoja që instrumenti i qeverisë është i pamjaftueshëm, duhen shumë institucione të tjera të përfshihen në luftën kundër korrupsionit. Deri tani kemi parë që nuke kemi rezultate konkrete, nuk kemi parë asnjë ministër, deputet, gjyqtar, prokuror, apo kryetar bashkie, të cilat të jenë arrestuar dhe kjo për logjikën e thjeshtë se elementët e korruptuar, grupet e korruptuar, aty ku ekzistojnë, pra MAFIA, nuk mund të godasë veteten. Në se nuk ka spastrim të sistemit, atëhere, reformimi i sistemit nuk mund të vijë nga elementët e korruptuar, në se nuk krijihet mundësia për të shkatërruar statukuonë e atyre, të cilët ruajnë një sistem të korruptuar në Shqipëri, atëhere do të jetë shumë e vështirë për të hedhur hapa progresivë. Në Shqipëri ekonomia informale bën kërdinë. Sistemi bankar është shumë i dobët, mjetet e kontrollimit të pastrimit të parave pothuajse janë të pandjeshme; sigurisht, sistemi i drejtësisë është inefiçent; po të shikoni, shpeshherë qytete të tëra, duke filluar nga Tirana edhe qytete të tjera turistike, janë shndërruar në një lavatriçe parash, duke bërë të mundur, që në Shqipëri të jetë një vend i artë që elementët kriminalë të pastrojnë paratë e tyre.

Zëri i Amerikës: Një pyetje e fundit, me që jemi në prag të zgjedhjeve vendore në Shqipëri, gjithmonë është thënë se nuk ka patur transparencë në financimin e fushatave elektorale. Si mund të arrihet që këtë herë të ketë transparencë në këtë çështje?

Kreshnik Spahiu: Besoj që do të jetë shumë e vështirë. Ka 15 vjet që partitë politike, që kur ka lindur pluralizmi në Shqipëri, kanë treguar një mungesë të plotë të vullnetit politik për të bërë transpranecën e finacimit të partive politike; kjo për faktin se nga të gjitha informacionet dhe nga sondazhet që ne kemi, mbi 90 për qind e financimeve të partive politike janë financime private, dhe kryesisht janë financime të dyshimta. Edhe në debatet e ndryshme elektorale, për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, apo kodit elektoral, partitë politike, madje duke shmangur edhe presionin ndërkombëtar, nuk pranojnë që të përfshijnë në këto bisedime transparencën e finacimit të fushatës elektorale. Këtu dhe vetëm këtu janë rrënjët dhe fillimi i kapjes së shtetit, të kapjes së partive politike dhe më pas të institucioneve të cilat lindin nga zgjedhjet, të cilat pretendohet se janë të lira.

Zëri i Amerikës: ...Dhe këtu do të përqëndrohet edhe një pjesë e punës suaj në të ardhmen?

Kreshnik Spahiu: Sigurisht, që ne kemi një sërë projektesh, përfshirë dhe monitorimin e transparencës së financimit të partive politike, por hapat tona janë të limituara, pasi shoqëria civile ka mjete të kufizuara në luftën kundër korrupsionit dhe ne mund të bëjmë aq sa kemi mundësi.

XS
SM
MD
LG