Lidhje

Lufta për ndalimin e lojrave të fatit në Internet


Përfaqësues të industrisë së lojrave të fatit thonë se bixhozi në internet do të lulëzojë me gjithë ligjin e kohëve të fundit i cili përpiqet ta pengojë atë. Në muajin tetor, Presidenti Bush nënshkroi një ligj që nuk i lejon bankat amerikane dhe kompanitë e kartave të kreditit të procedojnë pagesat për faqe interneti të lojrave të fatit. Por disa manaxherë kazinosh i shohin rregullat e reja si të përkohshme dhe thonë se në periudhën afatgjatë bixhozi përmes internetit nuk ka të ngjarë të bjerë.

Gjatë vitit të kaluar, amerikanët vunë 8 milionë dollarë në faqe interneti si kjo. Por ligji i miratuar nga kongresi e ka bërë më të vështirë të luhet përmes internetit - të paktën tani për tani. Përfaqësues të kësaj industrie, si Frank Fahrenkopf i Shoqatës Amerikane të Lojrave, beson se ligji nuk do të arrijë të pengojë bixhozçinjtë. “Ata do të vazhdojnë të luajnë dhe do të gjejnë rrugë të tjera për të vënë paratë e tyre në kazinotë e huaja të internetit”.

Në Las Vegas, zemra e bixhozit amerikan, ekziston një pikëpamje tjetër nga ajo në Washington mbi Aktin për Bixhozin e Paligjshëm në Internet. Ndërsa ligjvënësit synojnë pakësimin e bixhozit në internet, Las Vegasi është skeptik.

Disa manaxherë kazinosh besojnë se kërkesa e madhe do ta detyrojë Kongresin që të lejojë kumarin në internet, por nën mbikqyrjen e rreptë të qeverisë. Rob Stillwell i firmës Boyd Gaming parashikon se kompanitë amerikane një ditë do të lejohen të hyjnë në këtë treg. “Është çështje liçencimi dhe rregullimi. Me krijimin e mekanizmave rregullues, më shumë kompani tradicionale të lojrave të fatit do të përfshihen në kumarin me internet”.

Ndërsa zyrtarë amerikanë do të fillojnë në qershor të 2007-ës të zbatojnë rregullat e reja, vende të tjera po i zbusin kufizimet. Britania po përpiqet të vërë nën kontroll, dhe jo të kufizojë bixhozin përmes internetit, duke shtuar shpresat për kompanitë e këtij profili. Britania ka paralajmëruar se ligji amerikan mund ta detyrojë këtë industri të marrë karakter informal. “Paratë e gjejnë gjithmonë rrugën ku duan të shkojnë, prandaj shpresoj se ligjvënësit, edhe ata që janë kundër çdo lloj bizhozi, do ta kuptojnë se nuk mund ta ndalojnë dot. Prohibicionizmi nuk ka funksionuar ansjëherë në Amerikë. Është më mirë të vihet nën rregulla, më mirë të kontrollohet dhe të taksohet”.

Industria e lojrave të fatit, duke iu druajtur konkurrencës, nuk e ka mbështetur gjithmonë kumarin në internet, por tani e sheh atë si një rrugë për të joshur bixhozçinj të rinj. Rob Stillwell shpreson se ligjvënësit do ta rikthejnë kursin aktual dhe do të lejojnë kompanitë amerikane të marrin pjesën e tyre. “Do ta kuptojë se sido që të jetë njerëzit nuk do të heqin dorë nga kumari në internet. Njerëzit në fakt po luajnë në internet dhe ligji po i pengon kompanitë amerikane të përfitojnë nga ky lloj bixhozi”. Tani për tani, qeveria amerikane po gjen mënyra se si të dallojë pagesat për kumarin përmes internetit nga transaksionet e tjera në mënyrë që t’i bllokojë ato. Por Shoqata Amerikane e Lojrave vlerëson se 5 milionë dollarë vazhdojnë të vihen në lojë nga amerikanët ... ...një numër që ajo nuk beson se do të bjerë, pavarësisht se ç’masa të tjera mund të marrë Kongresi. //rd//

XS
SM
MD
LG