Lidhje

Presidenti Bush dhe demokratët zotohen për ndryshime në Irak


Pas fitores së tyre ndaj republikanëve në zgjedhjet e këtij muaji për në kongres, demokratët thonë se do të bëjnë presion për ndryshimin e kursit në Irak.

Udhëheqësi i ardhshëm i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësusve, Steni Hojër, thotë se partia e tij do të bashkëpunojë me presidentin Bush dhe republikanët në kongres për të bërë të mundur ndryshimin e drejtimit në Irak, sepse, thotë ai, strategjia e tanishme nuk po funksionon.

“Dhuna sektare vazhdon të acarohet. Trupat tona, burrat dhe gratë e guximshme të forcave tona të armatosura, vazhdojnë të gjymtohen e të vriten. Madje kjo luftë nuk po e bën vendin tonë më të sigurtë. Në të ardhmen e afërt, irakianët duhet të marrin vendime të vështira dhe të pranojnë përgjegjësinë për të ardhmen e tyre. Irakianët duhet ta dinë se angazhimi ynë, ndërsa është i madh, nuk do të vazhdojë pa fund.”

Fjalimi i zotit Hojër në emër të Partisë së tij Demokrate u regjistrua të mërkurën, përpara raundit të fundit të dhunës sektare nga e cila u vranë më shumë se 200 veta.

Presidenti Bush thotë se trupat amerikane në Irak po luftojnë kundër terroristëve, të cilët, thotë presidenti, do të vinin në Shtetet e Bashkuara, në se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga Iraku para kohe.

Presidenti Bush thotë se po punon me udhëehqësit irakianë për transferimin e më shumë përgjegjësive për sigurimin e tyre, por ka thënë herë pas here se vendimi rreth numrit të trupave amerikane në Irak duhet të meret nga komandantët në teren dhe jo nga politikanët në Uashington.

Presidenti Bush është takuar me zotin Hojër dhe me udhëheqës të tjerë të Partisë Demokrate dhe të dyja palët janë zotuar të punojnë së bashku lidhur me gjendjen në Irak.

Në fjalimin e tij të përjashtëm në radio, presidenti foli rreth Ditës së Falenderimeve, duke thënë se amerikanët u janë mirënjohës burrave dhe grave në uniformë, të cilët mbrojnë liritë amerikane.

Gjatë kthimit nga takimi ekonomik i nivelit të lartë i vendeve të Azi-Paqësorit, që u zhvillua në Vietnam, presidenti u takua me trupat amerikane në një bazë të Forcave Ajrore në Hauai.

“Forcat tona të armatosura, që janë dislokuar në mbarë botën për të luftuar terrorizmin në Afganistan dhe në Irak, po kryejnë misione të rëndësishme në Paqësor, po ndihmojnë në shpërndarjen e ndihmave humanitare viktimave të katastrofave dhe po luftojnë trafikun e drogave. Unë u thashë burrave dhe grave në bazën e Forcave Ajrore se ne u jemi atyre mirënjohës për trimërinë dhe shërbimin e tyre dhe se ne nuk do të harojmë kurrë ata që bënë sakrificën e fundit.”

Presidenti Bush shkon javën e ardhshme në Evropë për një takim të nivelit të lartë të NATO-s, që do të zhvillohet në Rigë të Letonisë. Më pas ai do të shkojë në Jordani ku do të takohet me kryeministrin irakian, Nuri al-Maliki.

Këshilltari amerikan i sigurimit kombëtar, Stivën Hadlli, tha se administrata e presidentit Bush nuk pret ndonjë njoftim të madh nga këto bisedime. //ze//

XS
SM
MD
LG