Zvicra voton nesër në një referendum ku do të vendosë nëse do t’u japë ndihmë ekonomike 10 anëtarëve më të rinj të Bashkimit Evropian.
Projekt-ligji i propozuar nga qeveria parashikon dhënien e 800 milionë dollarëve për tetë vende të Evropës Lindore dhe dy mesdhetare që u anëtarësuan në maj të vitit 2004. Ndihma do të jepet për një periudhë 10 vjeçare.
Parlamenti zvicerian e ka miratuar ndihmën. Por Partia e djathtë Popullore Zviceriane arriti të mblidhte firmat e nevojshme për të mbajtur një referendum. Kjo parti thotë se nëse jepet kjo ndihmë, mund të përbëjë një precedent të rrezikshëm lidhur me kërkesat e ardhshme të Bashkimit Evropian.
Sipas sondazheve të fundit, shumica e votuesve zvicerianë e mbështet planin e shpenzime, por një numër i madh votuesish të pavendosur mund ta ndryshojë rezultatin. //ze//