Lidhje

NATO, organizatë me synime për shtrirje botërore?


Udhëheqësit e 26 vendeve anëtare të NATO-s do të takohen javën e ardhshme në Rigë të Letonisë. Presidenti Bush niset nesër për në Evropë për të marrë pjesë në atë takim dhe më pas do të shkojë në Jordani, ku do të takohet me kryeministrin e Irakut për të diskutuar rreth gjendjes në Irak. Në Letoni, zyrtarët e NATO-s pritet të diskutojnë rreth gjendjes në Afganistan, ku forcat e aleancës vazhdojnë të luftojnë me ekstremistët islamikë, 4 vjet pas përmbysjes nga pushteti të talebanëve. Gjithashtu në rendin e ditës së takimit të NATO-s pritet të përfshihet një propozim i ri. Presidenti Bush do të propozojë një program partneriteti me pesë vende jo-anëtare që po bashkëpunojnë me NATO-n.

Gjatë Luftës së Ftohtë, vëmendja e NATO-s ishte e përqendruar tek Evropa: tek rimëkëmbja nga Lufta e Dytë Botërore dhe mbrojtja e lirisë nga agresioni sovjetik. Tani që nuk ekziston më kërcënimi sovjetik, NATO-ja po shndërrohet në një organizatë më globale, thotë nënsekretari i shtetit Nikolas Bërns. “Programi ynë me Evropën është bërë tani global dhe ka lidhje me gjithë botën, për ndikimin që ne mund të kemi si partnerë në Lindjen e Mesme, në Azinë Jugore dhe Lindore, në Afrikë dhe në Amerikën Latine”.

Në takimin e javës së ardhshme në Rigë, Presidenti Bush do të propozojë një program partneriteti me pesë vende jo-anëtare që po bashkëpunojnë me NATO-n. “Një nga propozimet e rëndësishme që Presidenti Bush do të bëjë në takimin e NATO-s është ai për një program partnerësh globalë përmes së cilit NATO-ja i shtrin dorën e bashkëpunimit Australisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut, Suedisë dhe Finlandës, pesë vende që vazhdimisht janë stërvitur me ne në NATO dhe kanë dislokuar trupa në Ballkan dhe Afganistan me ne”.

Këto pesë vende nuk kërkojnë të anëtarësohen në NATO. Zoti Bërns thotë se partneriteti do të ketë të bëjë me stërvitjen dhe takimet e zakonshme me 26 vendet anëtare.

Xhulienë Smith, analiste politike në Uashington vë në dukje se NATO-ja i ka filluar misionet jashtë zonës Evro-Atlantike. “Mund të thuhet se NATO-ja është kthyer në një organizatë globale. NATO-ja është e pranishme në shumë zona të botës, në Afrikë, në Darfur, në Afganistan. Po kryen stërvitje në Irak”.

Zonja Smith përmend faktin që NATO-ja po kryen operacione të përbashkëta me vende të largëta jo-anëtare. “Në dekadën e ardhshme, NATO-ja do të vazhdojë të veprojë globalisht përsa u takon operacioneve, por, sa i takon anëtarësimit, e kam vështirë ta imagjinoj NATO-n që të zgjerohet përtej zonës Euro-Atlantike”.

Robert Hanter, ish-ambasador amerikan në NATO, thotë se angazhimi ushtarak i vendeve jo-evropiane në NATO nuk duhet t’i hapë rrugën anëtarësimit. “Unë mendoj se do të ishte gabim për NATO-n që ta shtrinte praninë e saj më larg nga është tani, në veçanti, sepse shumë vende evropiane nuk e shohin sigurinë e tyre të ardhshme, apo rolin e tyre të ardhshëm përtej asaj pune të madhe që ende mbetet për t’u bërë në Evropë dhe përreth saj në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut”.

Ambasadori Hunter thotë se shtrirja e anëtarësimit global do të thoshte që trupat e NATO-s të angazhoheshin në operacione ushtarake të largëta. “A do të thotë kjo angazhim në Indonezi? Apo Tailandë? A do të thotë angazhim në Timorin Lindor apo në çështjet koreane? Mendoj se mund të arrihej në pikën ku shumë evropianë do të frenoheshin duke thënë se kanë mjaft probleme ku janë të angazhuar: në Lindje me Afganistanin dhe çështjet e Lindjes së Mesme”.

NATO-ja ka aktualisht 26 vende anëtare dhe dy lloj parteritetesh: Partneritetin për Paqen dhe Partnerët për Dialog Mesdhetar. Partnerët Globalë do të ishte forma e tretë e zyrtarizuar e bashkëpunimit. //az//
XS
SM
MD
LG