Lidhje

Ministri i Jashtëm shqiptar viziton Pekinin


Ministri i jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, ishte për një vizitë zyrtare në Kinë përmes së cilët synoi të nxisë marrëdhëniet bilaterale midis Tiranës dhe Pekinit. Fakti që Kina është një nga pesë vendet anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit e bën këtë vizitë të rëndësishme edhe për të bindur Pekinin për një votë pro për statusin përfundimtar të Kosovës. I pyetur për qëndrimin e Kinës lidhur me procesin e statusit të Kosovës, Ministri i Jashtëm shqiptar tha:

Besnik Mustafaj: Nuk mund të thuash se u fol me terma shumë konkret nga miqtë kinezë. E rëndësishme është që unë, duke i bërë një histori të rëndësishme të qëndrimit të Kinës në Këshillin e Sigurimit lidhur me çështjen e Kosovës e falenderova edhe njëherë, sepse e kam falenderuar edhe njëherë për qëndrimin e mbajtur vjet në këtë kohë kur u votua në Këshillin e Sigurimit çelja e negociatave dhe se Kina me abstenimin e saj i hapi rrugën çeljes së negociatave. Unë i shpreha besimin tim të plotë se Kina si një fuqi e madhe botërore, si një fuqi që luan rol për paqen në rajon e vet dhe që si anëtare e përherëshme e Këshillit të Sigurimit ka një rol ndërkombëtar për të luajtur i shpreha besimin e qeverisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve të Ballkanit se Kina përsëri do të luaj një rol konstruktiv. Unë i sugjerova homologut tim kinez që të ftojë përfaqësues të lartë nga Kosova, t’i dëgjojnë edhe ata vetë opinionet e klasës politike të Kosovës, për përgatitjet që ata po bëjnë për post-statusit se si do të realizohet një shtet multietnik, një shtet demokratik, një shtet i hapur, një shtet ku të gjithë qytetarët e Kosovës do ta ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre.

Zëri i Amerikës: A shikoni ndonjë lloj ndryshimin në qëndrimin e Kinës?

Besnik Mustafaj: Unë shikoj që Kina është e preokupuar pozitivisht për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajonin e saj por edhe në gjithë globin.

Zëri i Amerikës: Çfarë efekti mendoni ju se mund të kenë mbi procesin e statusit protestat e djeshme me dhunë në Prishtinë?

Besnik Mustafaj: Protestat apo çdo formë tjetër jo-diplomatike nuk i shërben qëllimit final që ka gjithë shoqëria e Kosovës dhe klasa e saj politike. Pra në këtë kuptim, çështja e Kosovës tani është në duart e diplomacisë botërore dhe si e tillë ajo duhet të mbështetet nga gjithë opinioni publik dhe nga gjithë klasa politike në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG