Lidhje

Çeku: Vizita ime në Rusi synonte vendosjen e kanaleve të bisedimeve dhe bashkëpunimit


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku u takua në Moskë me Zëvendës Ministrin e Jashtëm rus Vladimir Titov për bisedime mbi përpjekjet e qeverisë së tij për pavarësinë e Kosovës. Pas takimit, autoritetet ruse thanë se udhëheqja shqiptare në Kosovë nuk duhet të lejojë që forcat ekstremiste të dëmtojnë pakicat. Zoti Çeku u takua edhe me kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dumës, dhomës së ulët të parlamentit rus, Konstantin Kosaçijov, i cili i bëri thirrje zotit Çeku të vazhdojë bisedimet me Serbinë për të ardhmen e Kosovës. Më pas, gjatë një interviste për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, zoti Çeku tha se ai shpreson që Rusia, ndonëse nuk e mbështet, të mos e kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Agim Çeku është zyrtari i parë shqiptar i qeverisë së Kosovës që viziton kryeqytetin rus. Kolegia jone Rudina Dervishi zhvilloi kete interviste me Kryeministrin Çeku gjate emisionit televiziv Ditari.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, Rusia e ka shprehur hapur qendrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës. Çfarë arritët ju me takimet e këtyre ditëve?

Agim Çeku: Mendoj që vizita ime këtu ishte një zhvillim i sukseshëm, zhvillim pozitiv. Vetë fakti se ata kanë kanë ftuar për vizitë, dëshmon se ata na konsiderojnë ne si përfaqësues legjitimë, apo partnerë legjitimë në këtë proces. Ne biseduam shumë hapur për Kosovën dhe statusin e Kosovës pa dyshime dhe pa paragjykime. Rusia nuk e kundërshton pavarësinë e Kosovës, vetëm kisha për të thënë se ajo kërkon një zgjidhje të dakorduar mes Prishtinës dhe Beogradit. Kështu që qëllimi i kësaj vizite ishte në radhë të parë që të aktualizojmë Kosovën, që palën ruse ta njohim me arritjet e shumta tonat, t’i siguroj se Kosova është gati për status, se Kosova funksionon. T’i paraqes edhe një herë kërkesën tonë për pavarësi dhe t’i parashtroj argumentet tona që e mbështesin kërkesën për pavarësi. Arësyeja e dytë ishte që t’i amortizoj efektet negative të një propagande, kisha për të thënë, primitive kundrejt Kosovës, për pozitën e minoriteteve në Kosovë, për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe normalisht, arësyeja e tretë e vizitës ishte aktivizim i kanaleve të bisedimeve, të bashkëpunimit me Rusinë. Nuk mund të them që e bindëm njëri-tjetrin për ndryshimin e qendrimeve ndaj statusit, ndaj procesit, po ajo ç’ka është me rëndësi, u pranua se pala ruse, përveçse ka marrë informacione me shumë rëndësi, shumë të dobishme, shumë të rëndësishme për Kosovën, vazhdojnë të insistojnë në një zgjidhje të negociuar midis palëve, vazhdojnë të insistojnë të mos caktohen afate, siç i quajnë ata, artificiale, dhe vazhdojnë të mendojnë se pavarësia e Kosovës do të ishte një precendet, qendrime që absolutisht i kundërshtova.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, në se Rusia nuk ndryshon qëndrim, pra, vazhdon të kërcënojë me përdorimin e të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, a keni ju një strategji, një plan tjetër, për të kapërcyer pengesat që do të dalin nga qëndrimi i Moskës?

Agim Çeku: Unë do të them se nuk e fitova një përshtypje që Rusia qysh tani ka vendosur apo është e vendosur që të përdorë veton. Rusia ofron alternativa, ofron hapësirë dhe nuk pashë një gatishmëri apo vullnet që të përdoret vetoja në rastine Kosovës. Mendoj se nuk jemi të vetmit ne që jemi në ktë proces. Ky proces nuk është bilateral, ky proces është ndërkombëtar. Vendimi do të merret nga faktorë ndërkombëtarë, nga Grupi i Kontaktit, Këshilli i Sigurimit, dhe mendoj që qendrimet unike të anëtarëve të tjerë të Grupit të Kontaktit mendoj që do të të ndikohë në qendrimin e Rusisë në fund dhe unë vetë jam optimist që Rusia, në qoftë se nuk pajtohet, të paktën nuk do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës në fund në Këshillin e Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Ministri i jashtëm shqiptar tha të mërkurën se u ka sugjeruar homologëve kinezë të ftojnë një delegacion të Kosovës në Pekin. A po bëni ju përpjekje për të bërë një vizitë edhe në këtë vend tjetër të Këshillit të Sigurimit?

Agim Çeku: Ne jemi shumë të interesuar të kemi rastin apo të shfrytëzojmë çfarëdo rasti që na ofrohet që ta sqarojmë pozicionin tonë, të sqarojmë arritjet tona, të argumentojmë kërkesën tonë për pavarësi dhe kështu që jemi duke bërë përpjekje dhe me plot deshirë do të kishim pranuar një vizitë edhe në Kinë për shkak se Kina është anëtar i këshillit të Sigurimit, ka të drejtë vetoje. Për ne është një vend shumë i rëndësishëm dhe për ne është shumë me rëndësi të kemi mirëkuptim edhe nga shteti kinez për situatën në Kosovë dhe të kemi një mbështetje për pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku në përfundim të takimit të lartë të Natos në Rigë Serbia u ftua të anëtarësohet në programin e Natos Partneritet-për-Paqe. Cili është reagimi juaj?

Agim Çeku: Unë, në radhë të parë, kisha përshëndetur ftesën e Shqipërisë për t’u inkuadruar në Nato dhe gjithashtu unë mendoj që për rajonin, Serbia është me shumë rëndësi që të ftohet për partneritet për paqe pasi kjo nënkupton një reformë të sistemit të sigurisë, të forcave të armatosura. Kërkon nga Serbia që të përmbushë të gjitha kriteret ... (ndërprerje e lidhjes telefonike) ... është kjo aspiratë edhe e Kosovës, edhe e të gjitha vendeve në rajon. Mendoj që do të ndikojë në stabilitetin e rajonit ftesa për Serbinë që të inkuadrohet në partneritet për paqe (pasi) inkuadrimi në partneritet për Paqe ndikon në stabilitetin e rajonit.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, dje, zv/kryeminisitri Haziri tha se pas zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës mund të ketë ndryshime të tjera në kabinet. A është fjala për ndryshime të zyrtarëve të LDK-së në qeveri apo për ndryshime më të gjera?

Agim Çeku: Unë si kryeministër jamë shumë i interesuar që qeveria të jetë funksionale, të funksionojë dhe do të bëjmë ato ndryshime të cilat e mundësojmë funksionalitetin normal të qeverisë. Por do të jemi shumë të kujdesshëm që të mos ta prishim ekuilibrin politik apo të mos bëjmë ato ndryshime që mund të shkaktojnë reagime që do të jetë vështirë të kontrollohen dhe të ndikojnë në stabilitetin social në Kosovë. Kështu që prioritet është funksionaliteti, mandej ndryshimet e nevojshme për ta siguruar këtë funksionalitet. //az//

XS
SM
MD
LG