Lidhje

Senatorë amerikanë i bëjnë thirrje administratës të mbajë një qendrim më të ashpër ndaj qeverisë ruse të Vladimir Putinit


Ligjvënësit amerikanë po i bëjnë thirrje Uashingtonit të ndjekë një politikë më të rreptë në marrëdhëniet me Rusinë.

Autoritetet britanike po vazhdojnë hetimin e çështjes së ish agjentit rus, Aleksandër Litvinenko, i cili vdiq kohët e fundit në Londër nga një helmim radioaktiv. Para vdekjes, ai tha se ishte helmuar pasi kishte kundërshtuar Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, pretendim që Kremlini e ka hedhur poshtë. Sekretari për punët e Brendëshme të Britanisë së Madhe, ka shprehur besimin se do të ketë bashkëpnimin e plotë të Rusisë në procesin e zgjerimit të hetimeve.

Senatori demokrat amerikan, Joseph Biden, tha dje në kanalin televiziv Fox News Sunday, se nuk e mbështet akuzën e Litvinenkos, por tha se megjithëse zoti Putin nuk e pranon këtë akuzë, ai beson se Presidenti i Rusisë po e çon vendin në rrugë të gabuar.

“Unë nuk mund të them nëse Presidenti Putin është i implikuar në helmimin e Litvinenkos, por para së gjithash marrëdhëniet tona me Rusinë duhet të përcaktohen drejt. Rusia po shkon gjithnjë e më tepër drejt një oligarkie dhe Putini po konsolidon pushtetin”.

Senatori Biden i cili bëhet në janar Kryetar i Komisionit të Senatit për Marredhëniet me Jashtë, shtoi se beson se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë atë që ai e përshkroi si “konfrontim të drejt për drejtë” me zotin Putin. Ai u shpreh kundër kërcënimit për ta përjashtuar menjëherë Rusinë nga grupi i tetë vendeve më të industrializuara, por tha se për sa kohë që zoti Putin t’i pëmbahet kursit të tanishëm, anëtarësia e Moskës në tetëshe duhet të rishikohet.

“Unë do të shikoja mundësinë e ndjekjes nga afër të veprimtarisë së Putinit, për të përcaktuar nëse ai po vazhdon apo jo të konsolidojë pushtetin në sektorin e ekonomisë si dhe në gjithë vendin, dhe nëse duhet shqyrtuar anëtarësia e Rusisë në grupin e tetëshes. Unë do ta ngrija këtë çështje drejt për drejt me të, por privatisht. Unë nuk do ta bëja këtë publikisht”.

Në vitn 2001, Presidenti Bush foli miqësisht për zotin Putin pas takimit të tyre të parë, duke thënë se ai kishte parë shpirtin e udhëheqësit të Rusisë, dhe kishte besim të plotë se të dy presidentët ishin në të njejtin krah.

Senatori republikan, Lindsey Graham, i cili është anëtar i Komisionit të Senatit amerikan për Forcat e Armatosura, iu kundërvu kësaj deklarate të Presidentit Bush.

“Për mendimin tim Presidenti Bush nuk e kuptoi drejt shpirtin e Putinit. Unë mendoj se ky individ po e çon mbrapa Rusinë. Ai nuk i shërben zgjidhjes së problemeve, sepse është vetë problemi për shumë çështje botëroe. Ai mund të na ndihmojë neve në rastin e Iranit, po të dojë . Praktikisht ai po e kthen Rusinë në diktaturën e një njeriu dhe neve na duhet të jemi të rreptë me të”.

Senatori Graham, i cili ishte i ftuar dje në kanalin televiziv, Fox News Sunday, tha se Rusia ka nevojë të jetë një element konstruktiv i komunitetit ndërkombëtar. Ai i bëri thirrje këtij komuniteti të flasë me një zë për t’i treguar Moskës se ajo po shkon mbrapsht dhe jo përpara drejt të qënit një element konstruktiv në arenën ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG