Lidhje

SHBA: Xhon Bolton do të largohet nga posti i ambasadorit amerikan në OKB


Shtëpia e Bardhë njoftoi se ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Xhon Bolton, do të largohet nga ky post brënda pak javësh kur të marrë fund afati i emërimit të tij të përkohshëm në këtë detyrë.

Presidenti Bush e emëroi përkohësisht zotin Bolton në atë post vitin e kaluar, pasi anëtarët e kongresit bllokuan konfirmimin e tij. Që prej atëhere, diplomati nuk e ka shtuar mbështetjen, diçka e domosdoshme kjo për të siguruar konfirmimin.

Presidenti Bush bëri një deklaratë në të cilën thoshte se kishte mbetur tepër i zhgënjyer nga ‘qëndrimi pengues dhe kokëfortë’, siç u shpreh ai, i disa senatorëve, që bllokuan emërimin e tij. Presidenti e përshëndeti zotin Bolton për punën e tij për Korenë e Veriut, Darfurin dhe nxitjen e demokracisë.

Kundërshtarët e tij në Kongres kanë thënë në të kaluarën se zoti Bolton u përpoq të hartonte raportet e zbulimit për qëllime politike. Të tjerë, që punuan me të në departamentin e shtetit, e kanë cilësuar stilin e tij menaxhues si agresiv madje thanë se ai i keqtrajtonte vartësit e tij.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se intervistat për gjetjen e pasardhësit të tij nuk kanë filluar ende.

XS
SM
MD
LG