Lidhje

Bush takohet në Shtëpinë e Bardhë me një udhëheqës irakian shiit


Presidenti Bush zhvilloi bisedime dje në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësin irakian shiit me influencë, Abdul Aziz al-Hakim. Ky takim është pjesë e përpjekjeve të zotit Bush për të bashkëpunuar me udhëheqës të fraksioneve të ndryshme të Irakut me shpresë për t’i dhënë fund dhunës që ka përfshirë vendin.

Presidenti e priti zotin Abdul Aziz al-Hakim me fjalë të ngrohta dhe tha me këtë rast se nuk është bërë mjaft për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Irak, që u ka kushtuar jetën shumë irakianëve.

“I thashë shkëlqesisë së tij se jam krenar për kurajon e popullit irakian. I thashë gjithashtu atij se ne nuk jemi të kënaqur me ritmin e përparimit në Irak”.

Pas takimit një orësh, Presidenti Bush u tha gazetarëve se shprehu mbështetjen e tij për qeverinë e re të Irakut. Zoti Hakim kryeson një nga frakionet më të mëdha parlamentare në Irak, dhe Presidenti i bëri thirrje atij të vazhdojë përpjekjet për unitetin kombëtar.

“Unë e garantova atë se Shtetet e Bashkuara mbështesin punën e tij dhe të kryeministrit për bashkimin e vendit. Në këtë kuadër udhëheqësit e zgjedhur të Irakut dhe udhëheqësit shoqërorë duhet të kundërshtojnë ekstremistët që përpiqen të pengojnë përparimin e kësaj demokracie të re”.

Presidenti Bush tha se e vlerëson qendrimin e vendosur të zotit Hakim kundër vrasjeve të njerëzve të pafajshëm dhe theksoi se e di shumë mirë se çfarë do të thotë të humbasësh njerëzit e tu të dashur.

“Ky është një njeri, familja e të cilit ka vuajtur pa masë në duart e diktatorit, Saddam Hussein. Ai humbi rreth 60 anëtarë të familjes dhe në vend që të jetë hakmarrës, është i angazhuar të ndihmojë qeverinëe re të arrijë sukses”.

Zoti Hakim nuk mban ndonjë post ministror në qeverinë e Kryeministrit Nouri al-Maliki. Por ai ka ndikim të madh sepse fraksioni i tij, Këshilli Suprem i Revolucionit Islamik, ka përfaqësues si në parlament ashtu edhe nën armë nëpërmjet krahut të tij të armatosur, Brigada Badr.

Duke folur përmes një përkthyesi, zoti Hakim tha se bisedimet e tij me Presidentin Bush u përqendruan në mënyrat për të avancuar punën e qeverisë irakiane dhe përmirësimin e gjendjes së sigurisë në vend.

“Interesat e Shteteve të Bashkuara, interesat e Irakut dhe interesat rajonale janë të lidhura sëbashku. Prandaj, është me shumë rëndësi që kur trajtohen këto çështje, ne kemi parasysh interesat e popullit të Irakut. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, atëhere gjithçka do të kthehej kundër nesh dhe do të dëmtonte intersat e rajonit, të Shteteve të Bashkuara dhe të Irakut”.

Zoti Hakim tha gjithashtu se ishte kundër një konference ndërkombëtare për Irakun, duke thënë se çështjet irakiane duhet t’i zgjidhë vetë populli i Irakut.

“Ne nuk mund ta anashkalojmë procesin politik. Iraku duhet të jetë në pozitë që të zgjidhë problemet e veta. Ne mirëpresim çdo përpjekje që do të forconte realitetin demokratik në Irak dhe të mbronte rolin kushtetues të shtetit”.

Takimi me udhëheqësin shiit, u bë në një kohë kritike për politikën e administratës së Presidentit Bush në Irak. Të mërkurën, një komision i nivelit të lartë, i autorizuar nga Kongresi do të paraqesë rekomandimet e tij për Irakun dhe brenda disa javësh, demokraët e opozitës do të marrin zyrtarisht kontrollin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG