Lidhje

Shtetet e Bashkuara kërkojnë sigurinë e serbëve të Kosovës


Shtetet e Bashkuara kërkojnë që në Kosovë të respektohen të drejtat e të gjithëve dhe në vecanti që serbët e Kosovës të jetojnë në një mjedis të sigurtë. Rosemary DiCarlo, Zëvendësndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, tha sot pas një takimi me përfaqësues lokalë serbë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara për të drejtat e serbëve të Kosovës. Zonja Di Karlo, i bëri këto komente në Novobërdë, vizitë në të cilën shoqërohej nga i dërguari evropian në bisedimet për statusin, Stefan Lehne. Duke komentuar skepticizmin e serbëve të Kosovës për premtimet e dhëna, zoti Lehne, theksoi se premtimet duhet të kthehen në legjislacion dhe legjislacioni të zbatohet.

Rosemary DiCarlo, Zv/Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, ritheksoi sot se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës të drejtuar nga kryenegociatori Ahtisari dhe arritjen e një përfundimi të suksesshëm të këtij procesi. “Ne jemi shumë të interesuar për të drejtat e serbëve të Kosovës. Ne besojmë fuqishëm se të drejtat e gjithkujt në Kosovë duhet të mbrohen, por në vecanti serbët e Kosovës, komuniteti serb i Kosovës duhet të ketë të drejtën për të jetuar këtu, në një mjedis të sigurtë, dhe të ketë të gjitha mundësitë për një jetë të suksesshme”, tha zonja Di Karlo.

Zonja Di Karlo, i bëri këto komente, pas bisedës që pati së bashku me të dërguarin evropian në bisedimet për statusin, Stefan Lehne, në Artanë, Novobërdë, me përfaqësues të pakicës serbe nga komuna të ndryshme. Duke komentuar skepticizmin e serbëve për premtimet që u janë dhënë, zoti Lehne, theksoi se plotësimi i premtimeve të dhëna do të jetë një kyç absolut. “ Duhet të sigurohemi që zbatimi i asaj që do të vendoset të përkthehet në legjislacionin e duhur, dhe që rregullimet institucionale ti përmbajnë këto angazhime, dhe të realizohen. Jemi të ndërgjegjshëm që komuniteti ndërkombëtar do të ketë një rol jetësor në këtë proces”. Petar Vasic, kryetari i komunës së Novobërdës, pranon se përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës nuk kanë luajtur atë rol që duhej të luanin. “A luajnë përfaqësuesit e serbëve në parlament atë rol që duhet të luanin, mendoj se jo. Mendoj se ata kanë marrë një vendim krejt normal për të mos marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve në Kosovë sepse duke u nisur nga përvoja, zëri i tyre nuk është dëgjuar, nuk është përfillur shumë, si pakicë nuk mund të ndryshonin asgjë, dhe prandaj kanë vendosur që në këtë mënyrë, të provojnë të tërheqin vëmendjen që bashkësia ndërkombëtare, t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe ti mbrojë të drejtat e serbëve”.

Serbët e Kosovës kërkojnë që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë dhe morën pjesë në masë të madhe në referendumin serb, i cili e shpalli Kosovën pjesë integrale të Serbisë. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësi dhe shkëputje të plotë nga Serbia. //rd//

XS
SM
MD
LG