Lidhje

Shqipëri: Ende asnjë marrëveshje për zgjedhjet


Edhe bisedimet e sotme nuk sollën asgjë të re, apo ndonjë sinjal se po shkohet drejt një marrëveshjeje.

Përfaqësuesit e opozitës deklaruan pas takimit të nisur pas mesditës se ata kishin paraqitur disa propozime specifike lidhur me listat dhe afatet e hartimit të tyre e po ashtu edhe me çertifikatat dy çështjet kyçe të këtyre bisedimeve. Ata e shprehën se do të ketë një raund tjetër në pritje që shumica të merrte në shqyrtim propozimet e tyre.

Ata nuk dhanë hollësi rreth ndryshimeve të paraqitura por është e qartë se për të majtën afatet e mbetura kohore nuk janë të mjaftueshme për realizimin dhe përmbushjen e ndryshimeve veçanërisht ato që kanë të bëjnë me çështjet e listave. Pra, automatikisht do të duhej një shtyrje e datës së zgjedhjeve të shpallur tashmë nga presidenti Alfred Moisiu.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e të djathtës shprehen se qëndrimet mes palëve janë larg përsa kohë, sipas tyre, opozita ka si synim vetëm shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë demokratike, negociatori kryesor i të djathtës, ripërsëriti edhe një herë qëndrimin e njohur se sipas tyre data nuk është një çështje e partive, por e presidentit, i cili ka marrë tashmë një vendim.

Zoti Bode tha se ekziston mundësia e shkrutimit të afateve për listat, në mënyrë që të kapet afati i duhur kohor. E djathta duket e palëkundur në këtë pikë, por asaj do t’i duhet të përballet edhe me aleatët e vet, disa prej të cilëve e shohin gjithashtu të pamundur hartimin e listave brenda kohës së mbetur dhe do të ishin gjithashtu në favor të një shtyrjeje të datës së zgjedhjeve.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës Alfred Moisiu u shpreh sot se ai nuk mund të jepte një përgjigje të saktë për çështjen e datës, pa patur paraprakisht një propozim dhe se ai do të vendoste vetëm pasi të kishte një kërkesë të tillë nga partitë. Ndërsa kostitucionalistë të njohur kanë shpjeguar se data e zgjedhjeve është kompetencë ekskluzive e kreut të shtetit, por se megjithatë, kushtetuta nuk kishte asnj pengesë të specifikuar për një rast të tillë. Por në të vërtetë, nuk mjafton një konsensus i thjeshtë mes partive, apo një kërkesë formale e tyre, në mënyrë që presidenti të shtyjë datën e zgjedhjeve.

Kreu i shtetit nuk mund ta bëjë këtë pa patur një bazë ligjore. Prandaj nevojitet që një konsensus i mundshëm të përkthehet në ligj. Pra, të shfuqizohet neni i kodit aktual elektoral që përcakton afatet për shpalljen e datës, në mënyrë që dekreti i bazuar në këtë nen të bëhet i pavlefshëm dhe presidenti të ketë një bazë të re ligjore me afate të reja.//lk

XS
SM
MD
LG