Lidhje

SHBA: Senati konfirmon z. Gejts në postin e Sekretarit të Mbrojtjes


Senati amerikan konfirmoi zotin Robert Gejts në postin e sekretarit të mbrojtjes, me 92 vota pro dhe 2 kundër. Demokratët e opozitës shpresojnë që ai do të ndryshojë kursin e politikës amerikane në Irak. Pritet që zoti Gejts të bëjë betimin në detyrën e re nga fundi i muajit, duke zëvendësuar sekretarin e mbrojtjes, Donald Ramsfeld, i cili është kritikuar nga anëtarët e të dyja partive për mënyrën e drejtimit të luftës në Irak.

Një ditë pasi Komisioni i Senatit për Forcat e Armatosura miratoi emërimin e zotit Gejts, në postin e sekretarit të mbrojtjes, Senati në seancë të plotë konfirmoi dje lehtësisht zotin Robert Gejts, ish-drejtorin e Agjencisë Qëndrore të Zbulimit, CIA.

Senatori Xhon Uorner nga shteti i Virxhinias, kryetari republikan në largim i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, tha se zoti Gejts do të ndihmojë Presidentin Bush me një këndvështrim të ri dhe të drejtë mbi Irakun dhe shqetësime të tjera në rritje. “Unë kam besim se zoti Gejts do të paraqesë pa më të voglin ngurim mendimin e tij profesional dhe ndjenjat e tij personale mbi çështje komplekse me të cilat përballet vendi dhe me të vërtetë e gjithë bota.”

Ligjvënësit nga të dyja partitë vlerësuan sinqeritetin e zotit Gejts gjatë seancave për komfirmimin e tij që u zhvilluan ditën e martë, kur ai dëshmoi se nuk beson se Shtetet e Bashkuara po fitojnë në luftën në Irak. Megjithatë ai tha se nuk beson që Shtetet e Bashkuara po humbin luftën, ai paralajmëroi se konflikti mund të zgjerohet duke përfshirë të gjithë rajonin nëse gjendja në Irak nuk stabilizohet brenda një ose e shumta dy vjetësh.

Konfirmimi i zotit Gejts nga Senati ndodhi në të njëjtën ditë që Grupi Studimor mbi Irakun, një ekip dypartiak ekspertësh, publikoi raportin e tij, duke dalë në përfundimin se politika e presidentit Bush në Irak nuk është e efektshme dhe bëri thirrje për tërheqjen e shumicës së trupave luftuese amerikane brenda vitit 2008.

Demokratët mirëpritën rekomandimet dhe u bënë thirrje presidentit Bush dhe zotit Gejts t’i zbatojnë ato. Senatori Dik Dërbin nga shteti Illinois thotë. “Ne do të kemi tani një ndryshim shumë të nevojshëm në Pentagon. E di se anëtarët nga të dyja partitë presin me padurim të punojnë me Sekretarin e ri të Mbrojtjes për të bërë ndryshime të mëtejshme. Por përfundimisht kjo është përgjegjësia e Presidentit.”

Anëtarët e Grupit Studimor mbi Irakun do të diskutojnë sot rekomandimet e tyre në një seancë të Komisionit të Senatat për Forcat e Armatosura.

XS
SM
MD
LG