Lidhje

Presidenti Moisiu: Sistemi gjyqësor ndikohet nga politika


Në Shqipëri, Presidenti Alfred Moisiu, deklaroi sot se ka ende probleme të rënda në funksionimin e sistemit gjyqësor i cili ndikohet nga politika apo pushtete të tjera, gjë që ai e përkufizoi si korrupsion politik.

Duke folur në Konferencën Kombëtare të Gjyqësorit në Tiranë, Presidenti Moisiu tha se korrupsioni politik nuk është më pak i rrezikshëm në mos më shumë se ai ekonomik. Ai shtoi se agresioni i këtij korrupsioni është rritur dhe për këtë kërkoi nga gjyqatarët t'i mbyllin derën e të denoncojnë rastet e shantazheve që përdoren sipas tij nga funksionarë të ndryshëm politikë. Kreu i shtetit pranoi problemet e rënda që sistemi ka ende lidhur me pavarësinë e gjyqtarëve dhe me korruptimin e tyre por duke refuzuar që i gjithë sistemi të cilësohet si i korruptuar.

Nga ana e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimjo Kondi, u shpreh për nevojën e reformave të thella një drejtësi. Ish ministër i drejtësisë në kabinetet socialiste dhe i emëruar me votat e tyre në krye të Gjykatës së Lartë, zoti Kondi akuzoi ish qeverisjen e majtë për mungesë vullneti në realizimin e reformave, ndërsa dha një opinion tërërsisht të kundërt për qeverisjen aktuale. Megjithatë ai u shpreh se ende nuk ka rezultate konkrete ndoshta për shkak të mungesës të ideve të qarta dhe bindëse. Zoti Kondi u shpreh se reforma në drejtësi duhet të përfshijë edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorinë, për të cilën hodhi idenë e varësisë së saj nga Ministria e Drejtësisë. //rd//

XS
SM
MD
LG