Lidhje

Discovery pritet të arrijë nesër në Stacionin e Hapësirës


Zyrtarët e NASA-s thonë se misioni i anijes Discovery është një nga fluturimet më të ndërlikuara që ka ndërmarrë ndonjëherë agjencia e hapësirës. Misioni 12 ditor i ekuipazhit prej shtatë vetash është vazhdimi i punimeve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, përfshirë ndërrimin e sistemit elektrik, pasi që në vitin 1998 ai ka funskionuar me një sistem të tillë të përkohshëm.

Me Diskavërin do të udhëtojë edhe një anëtare e re e ekuipazhit të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, Sunita Williams. Astronautja 41 vjeçare me origjinë indiane dhe jugosllave do të kryejë për gjashtë muaj eksperimente në stacion duke përmbushur kështu një ëndërr të fëmijërisë.

Sunita Williams thotë se është me shumë fat që po shkon në hapësirë. Nëse gjithçka shkon mirë, astronautja dhe gjashtë anëtarët e tjerë të ekuipazhit do të nisen natën, hera e parë që një anije e hapësirës lëshohet natën që pas tragjedisë së Columbias para tre vjetësh. Misioni 12 ditor konsiderohet një nga fluturimet më të vështira pasi astronautët do të bëjnë ecje në hapësirë dhe do të instalojnë sistemin e ri të energjisë elektrike në stacionin e hapësirës. Për Williams kjo shënon fillimin e një qëndrimi 6 mujor në stacionin ndërkombëtar.

Williams është gruaja e dytë me origjinë indiane që fluturon në hapësirë. Ajo pason Kalpana Chawlën që vdiq së bashku me gjashtë kolegët e saj kur anija e hapësirës Columbia u rrëzua gjatë kthimit në tokë në vitin 2003. Williams është krenare për origjinën e saj.

“Unë jam gjysëm indiane dhe jam e sigurt që shumë indianë presin me padurim që një person tjetër me origjinë indiane të fluturojë në hapësirë. Kështu është diçka e mirë që secili nga ne ngjall interesin për hapësirën tek një grup i caktuar njerëzish”.

Ajo do të ketë me vete një letër të shkruar nga i ati në Hindi. Ajo e konsideron të atin Deepak Pandya-n, një emigrant si shembull.

“Ai është model për mua sepse arritjet e mija kanë qenë të thjeshta. Ndërsa po të mendosh për dikë që lë vendin e lindjes dhe fillon gjithçka nga e para dhe arrin suksesin, është diçka e jashtëzakonshme”.

I ati i Sunitës erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1958 pasi mbaroi për mjekësi në Indi. Familja e së ëmës, Bonnie erdhi në Amerikë nga ish-Jugosllavia. Sunita beson se udhëtimi i saj ndjek të njëjtën traditë.

“Njerëzit për shekuj me radhë kanë rrezikuar jetën për të bërë një hap përpara. Ndjehem e nderuar që edhe unë kam mundësinë të bëj të njëjtën gjë”.

Williams iu nënshtrua për tetë vjet një përgatitjeje rigoroze mendore dhe fizike në agjencinë e hapësirës NASA për të qenë gati për këtë fluturim.

“Dy herë në javë bëjmë stërvitje për ecje në hapësirë”.

Megjithë stërvitjen, mund të ketë gjëra që nuk shkojnë siç duhet. Që nga askidenti i Columbias, shumë njerëz kanë shprehur shqetësime për sigurinë e anijes. Por prindërit e Sunitës nuk janë të alarmuar. //ze//

XS
SM
MD
LG