Lidhje

Shqipëri: Vazhdojnë mosmarrëveshjet për çështjet zgjedhore


Udhëheqësit politikë shqiptarë vazhdojnë t’i bëjnë thirrje njëri-tjetrit për marrëveshje, por po lëshuar e pa ndryshuar asnjë presje nga qëndrimet e tyre.

Praktikisht, opozita, 5 partitë e së cilës nuk u regjistruan mbrëmë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë jashtë garës elektorale. Në situatën e krijuar, Presidenti Alfred Moisiu u shpreh sot thellësisht i shqetsuar për klimën politike të acaruar dhe impaktin e saj për realizimin normal të zgjedhjeve vendore.

Kreu i shtetit ka theksuar edhe një herë se demokracia dhe zgjedhjet nuk janë e nuk mund të jenë monopol i politikës, e aq më pak ka theksuar ai, i një force të vetme politike. Zgjedhjet normale kanë nevojë për dy palë, ka nënvizuar presidenti Moisiu duke u bërë edhe një herë thirrje forcave politike të mazhorancës dhe të opozitës që të bashkëpunojnë me përgjegjshmëri dhe mirëbesim, dhe që përmes dialogut të arrijnë konsensus në përmbushjen detyrimit të tyre kushtetues ndaj vendit dhe qytetarëve.

Kryeministri Sali Berisha u shfaq sot me tone të ndryshme nga ato të përdorura dje në grupin e tij parlamentar, por me të njejtin qëndrim se data e zgjedhjeve nuk mund të shtyhet, se listat dhe certifikatat, dy kërkesat kryesore të opozitës janë në dorën e saj duke qenë se kontrollojnë shumicën e pushtetit vendor.

Kryeministri, i bindur se standartet mund të garantohen edhe në ditët e pakta që kanë mbetur deri më 20 janar, i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga bojkoti:

"I bëj thirrje Zotit Rama të vërë interesat e qytetarëve shqiptarë, demokracisë shqiptare, integrimit të vendit, interesat e Shqipërisë mbi interesat personale dhe vetjake, të lërë mënjanë bojkotin e të angazhohet me të gjitha mundësitë e forcës së tij politike për zgjedhje të standarteve të lira dhe të ndeshme. Me këtë rast, dua të shtoj se standartet nuk arrihen kurrë duke bojkotuar dhe se në standarte nuk kontribuon duke bojkotuar zgjedhje, standartet nuk mund të arrihen duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, mbasi respektimi i këtyre të fundit qendron në themel dhe përbën dhe standartet më kryesore të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ftoj Partinë Socialiste, që duke punuar sëbashku për standartet, vlerësimin e tyre t’ia adresojë institucioneve të vëzhgimit të zgjedhjeve", - tha zoti Berisha.

Por ashtu si dhe dje, forumi i lartë socialist vendosi të mos pranojë të futet në zgjedhjet e 20 janarit, sot përfaqësuesit socialistë në pushtetin vendor folën për një proces të ashtuquajtur "elektoral", por që në thelb sipas tyre, është antiligjor.

Ata paralajmëruan se nuk do të njohin udhëzimet e Ministrisë së Brendshme për hartimin e listave të votuesve:

"E gjykojmë të pabazuar në ligj çdo ndërhyrje të së Ministrisë së Brendshme për të na përfshirë në një farsë elektorale të paprecedente në Shqipëri dhe në botën demokratike. Për ne të zgjedhurit vendor ekziston sot për sot vetëm Kodi në fuqi dhe cdo udhëzim apo vendim i cilitdo qoftë që bie ndesh me Kodin nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe nuk përbën asnjë detyrim për institucionet që ne drejtojmë", -u shpreh ne emer te perfaqesuesve socialist Artan Shkembi, kryetar i Bashkise se Pogradecit .

Një vendim i tillë i shtohet problemeve që shkakton sot kodi i ekzistues elektoral për shkak se shumë afate të tij janë tejkaluar. Ai jo vetëm që do të bllokonte çështjen e listave, por edhe vetë Komisionin Qëndror i cili në bazë të tyre duhet të përgatisë edhe fletët e votimit.//lk

XS
SM
MD
LG