Lidhje

Daci: Presidenti të gjejë zgjidhje për gjendjen e krijuar në LDK


Ish-kryetari i parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, i cili humbi ndaj presidentit Sejdiu në zgjedhjet për postin e kryetarit të ri të LDK-së tha se presidenti Sejdiu duhet të rrisë numrin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Partisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Daci theksoi se grupimi që e mbështet atë, do të vazhdojë të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike dhe kërkon që presidenti Sejdiu të gjejë zgjidhje për gjendjen e krijuar në parti.

Zëri i Amerikës: A prisni ju që Lidhja Demokratike të mbetet e bashkuar, apo do të ndahet?

Nexhat Daci: Po, unë pres dhe punoj për të, sepse dy qëllimet strategjike, të të ashtu-quajturit ‘Projekti Daci’ ishin që të ruhet stabiliteti politik në Kosovë për hir të cilësisë së statusit dhe të ruhet uniteti në LDK, brenda mundësisë të jetë edhe më e rritur me qëllim të efektit pozitiv në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nacionale.

Zëri i Amerikës: Çfarë marrëveshjeje konkrete kërkoni që të arrihet me Presidentin Sejdiu, dhe atë pjesë të LDK-së që mbështet zotin Sejdiu?

Nexhat Daci: Unë u mundova të demonstroj një sinqeritet në zgjedhje. I urova zgjedhjen legale dhe legjitime Kryetarit Sejdiu. Mendoj se në çdo pjesë demokratike kur janë çështjet e Partisë, të respektohet fuqia e votës së arritur në Kuvend. Të lihet jashtë shtëpisë gati gjysma, 47 për qind e elektoratit të përfaqësuar në Kuvend, nuk e besoj se do të ishte ndonjë mençuri e madhe. Ne kërkojmë vetëm që të respektojmë legalitetin dhe legjitimitetin e Kryetarit të LDK-së, por jo edhe organet, Këshillin e Përgjithshëm dhe Kryesinë e cila do të dilte pa një marrëveshje politike.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo që marrëveshja që ju kërkoni të arrini me zotin Sejdiu dhe mbështetësit e tij është ndryshimi i Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë?

Nexhat Daci: Kjo mund edhe të mos ndryshohet për të ruajtur autoritetin e atyre që i ka propozuar Presidenti. Por ka mundësi që të rritet numri i Këshillit të Përgjithshëm në atë numër që kishte në mandatin e kaluar dhe të plotësohet kërkesa e Projektit Daci.

Zëri i Amerikës: Nëse kjo nuk arrihet, nëse nuk arrihet asnjë lloj marrëveshjeje me Presidentin Sejdiu dhe me atë pjesë të Lidhjes Demokratike, cilat do të jenë hapat tuaj të mëtejshëm? A do ta rrezikonit qeverinë me votat tuaja në Parlament?

Nexhat Daci: Jo, në asnjë mënyrë. Përgjegjësia institucionale mbetet e Presidentit të vendit dhe e Partive që e kanë formuar koalicionin. Në strategjinë time krijuese nuk është përjashtimi i dikujt ose prishja e punës që është realizuar në institucione, përkundrazi fuqizimi dhe funksionalizimi i tyre. Që të mundohet që në këtë dimër, si të them unë, ta hedhësh 50 për qind të elektoratit në rrugë jashtë shtëpisë dhe ta lesh në borë dhe në dimër, është përgjegjësi shumë e madhe e të zotit të shtëpisë. Në rast se kjo bëhet, që po shtroni ju pyetjen, unë me ekipin tim politik do t’i drejtohemi elektoratit për mirëkuptim, do ta dëgjojmë pulsin e tyre dhe mbi atë bazë atëherë prapë do t’i kthehem Kryetarit të LDK-së, do t’i themi që për herë të fundit po kërkojmë që të mos vazhdojë kjo punë e përjashtimit, sepse në filozofinë politike të LDK-së nuk ka qenë përjashtueshmëria, por përkundrazi, ka qenë përfshirja në program e të gjithë spektrit, por nëse e ka në program politik atë, që është e drejtë e tij, atëherë do t’ia respektojmë atë dëshirë.

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë qëndrimi i grupit tuaj nëse nuk arrihet asnjë lloj marrëveshjeje me zotin Sejdiu? A do të vazhdoni ju të votoni ose të veproni si pjesë e LDK-së në Parlament, me mbështetësit e zotit Sejdiu. A do të pozicionoheni kundër tyre, a do të votoni në një rast të mundshëm kundër tyre? A ekziston mundësia që të krijohet një Parti e re?

Nexhat Daci: Unë do të thoja se këto janë supozime hipotetike. Deri në atë moment ne do të votojmë si LDK. Në grup parlamentar të LDK-së do të merret qëndrim, do të unifikohet ai qëndrim dhe do të veprojmë të bashkuar në institucione, në asnjë mënyrë nuk do të veprojmë si partizanë, përkundrazi, si projekt shumë serioz, shumë i përgjegjshëm që të ruhet ajo që thashë, stabiliteti i brendshëm në Kosovë dhe i brendshëm në Parti dhe konform kësaj do të sillemi pastaj.

XS
SM
MD
LG