Lidhje

A është bota sot më e sigurtë sesa gjatë Luftës së Ftohtë?


Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 shënoi fillimin e përfundimit të Luftës së Ftohtë, pas së cilës, në të gjitha drejtimet, bota u bë një vend më i sigurtë. Por disa analistë thonë tani se disa probleme që janë trashëguar nga Lufta e Ftohtë, si dhe rreziqet e reja e kanë bërë botën po aq të rrezikshme.

Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60, gara e armatimeve bërthamore mes Shteteve të bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik e çoi botën në prag të luftës. Kur sovjetikët vendosën raketa bërthamore në Kubë në vitin 1962, Shtetet e Bashkuara ju përgjigjën me një bllokadë detare. Shumica e ekspertëve po thonë se ky ballafaqim mund kishte rezultuar në fillimin e një lufte bërthamore.

Kriza 12-ditore e raketave të Kubës mori fund me heqjen e tyre dhe me pranimin nga të dyja superfuqitë se asnjëra nuk do të rrezikonte të shkonte në një tragjedi bërthamore. William Keller, Drejtor i Qendrës Mathews B., Ridgeway për Studime Ndërkombëtare mbi Sigurinë në Universitetin e Pitsburgut kujton atë kohë. "Kur isha fëmijë, ne kishim strehimet tona gjatë bombardimeve dhe na duhej të ishim të përgatitur në çdo kohë për një luftë, ku të gjithë ishin kundër të gjithëve, pra jetonim në një ambjent tepër të pasigurtë. Në vitet ’80, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik arritën të kenë mbi 60 mijë armë bërthamore. Mund të them se sot, rreziku nga armët bërthamore është pakësuar ndjeshëm dhe është zëvendësuar me kërcënime më të vogla dhe më të menaxhueshme". Disa njerëz, thotë zoti Keller, i imagjinojnë terroristët të armatosur me armë bërthamore, si kërcënimin më të madh të mundshëm të ditëve tona.

Ndërsa disa analistë të tjerë shprehin shqetësim se terroristët mund të arrijnë të vjedhin ose të nxjerrin kontrabandë materiale bërthamore nga objekte të pasigurta në mbarë botën. Por të tjerë nuk e pranojnë këtë ide, duke thënë se nuk ka gjasa që teroristët të jenë të aftë të sigurojnë armë bërthamore, dhe aq më pak të jenë në gjendje të prodhojnë vetë armë bërthamore në të ardhmen e afërt.

Por analisti Gordon Clark, i grupit me bazë në Merilend, Peace Action, thotë se përhapja e teknologjive të armëve bërthamore në shtete si Koreja e Veriut, ose edhe Irani, si dhe ndryshimi i natyrës së konfliktit, e bëjnë botën më të rrezikshme. "Sot ndodhemi në një situatë, kur megjithëse vende të tilla si SHBA dhe Rusia e kanë ndërprerë garën bërthamore, kemi vende të tjera që përpiqen t’i sigurojnë këto armë dhe që zhvillojnë trafik armësh...Pra ndonëse rreziku është i ndryshëm, ai vazhdon të jetë po aq i madh sa edhe gjatë Luftës së Ftohtë". Shumica e ekspertëve janë të një mendimi se kërcënimi nga një grup terrosiet i pajisur me armë bërthamore është real, ndonëse mundësia është e vogël.

Në përgjithësi, shumica e ekspertëve janë të një mendimi, se shfarosja bërthamore me të cilën bota përballej gjatë Luftës së Ftohtë, nuk ekzsiton më, megjithëse natyra e konfliktit ka ndryshuar, nga mosmarrëveshje mes shteteve, në terrorizëm, luftra civile, dhe genocid, që kanë prirjen të kenë si objektiv civilët, por jo shtetet.

Një studim i shkencëtarëve të Universitetit British Columbia në Kanada ka arritur në përfundimin se dëmi i shkaktuar nga këto konflikte është minimal, krahasuar me dëmet që i solli botës Lufta e Ftohtë. Sipas raportit terrorizmi shkakton rreth 3 mijë viktima në vit, krahasuar me dhjetra mijëra viktima të shkaktuara nga konflikte të tjerë në mbarë botën, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Vërtet strehimet nga bombat mund të jenë diçka që i përket së kaluarës, në vendet e zhvilluara industriale, sot rreth një dekadë e gjysëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por shumë analistë theksojnë se në botë ka ende shumë mosmarrëveshje, të cilat rrezikojnë të shkaktojnë luftra të reja. //rd//

XS
SM
MD
LG