Lidhje

Ankaraja kritikon vendimin e BE-së për pezullimin e përkohshëm të bisedimeve


Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, thotë se vendimi i Bashkimit Evropian për të pezulluar pjesërisht bisedimet e Ankarasë për anëtarësim nuk është i drejtë.

Zoti Erdogan kritikoi sot vendimin e Bashkimit Evropian për të ndëshkuar Turqinë për mosnormalizimin e tregëtisë me Qipron - vend anëtar i organizatës. Ai i bëri thirrje Bashkimit të lejojë tregëtinë e drejtpërdrejtë të Ankarasë me shtetin qipriot turk, pa e lidhur çështjen me ndonjë kusht.

Zoti Erdogan tha se marrëdhëniet 40-vjeçare të Turqisë me Evropën kanë rënë aq poshtë, sa merren me çështje të tilla si hapja e porteve.

Ai foli në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin britanik, Tony Blair, në aeroportin e Ankarasë, para nisjes së zotit Blair për në Egjipt.

Zoti Blair mbështeti përpjekjet e Turqisë për të filluar fluturime të drejtpërdrejta me pjesën e izoluar turke të ishullit të Qipros. Ai tha se anëtarësimi i Turqisë është i një rëndësie themelore për të ardhmen e Evropës.

XS
SM
MD
LG